Avokati i familjes Ademaj: Familja e Liridonës i hapi derën Tom Dodajt, ai nuk shkoi as për ngushëllime

by Nexhat

Në seancën e sotme në Gjykatën e Apelit, u shqyrtua rasti i Tom Dodajt, i akuzuar për shitjen e armës me të cilën u vra Liridona Ademaj, ngjarje për të cilën ai është dënuar më parë me pesë vjet burgim.

Dodaj është ngarkuar me veprën penale: “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”.

banner

Avokati i familjes Ademaj, Leotrim Syla, në një intervistë për IndeksOnlinen thotë se vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë ishte i drejtë dhe ka marrë parasysh të gjitha rrethanat e rastit.

Ai theksoi se, përkundër faktit që familja Ademaj tërhoqi kërkesën për kompensim material, dënimi i Dodajt është brenda kufijve të dënueshmërisë, të cilat variojnë nga 1 deri në 8 vjet.

“Pesha e veprës penale dhe pasojat e saj kanë çuar në këtë dënim”, tha Syla. “Shitja e armës, në këtë rast, ka pasur pasoja të rënda dhe është e natyrshme që të shqiptohet një dënim i tillë, pasi nuk mund të krahasohet me shitje të thjeshta armësh”, tha Syla për IndeksOnline.

Tutje, avokati Syla komentoi mungesën e vizitës së familjes nga ana e të akuzuarit.

Ai shpjegoi se, pas seancës së shkallës së parë, familja Ademaj i kishte dhënë Dodajt mundësinë të kërkonte falje dhe të ndante dhimbjen me ata, por ai nuk ka bërë asnjë hap në këtë drejtim.

“Ne e kemi hapur derën për ngushëllime dhe e kemi ftuar të vijë për të kërkuar falje, por ai nuk ka ardhur”, theksoi avokati Syla.

“Mungesa e kërkimit të faljes dhe të pendesës për veprën që ka shkaktuar ka bërë që lidhja me familjen të mbetet shumë e dobët dhe kjo nuk mund të merret si rrethanë lehtësuese për të.”, deklaroi ai.

Në fund, avokati i familjes Ademaj shprehu besimin se Gjykata e Apelit do ta vërtetojë vendimin e shkallës së parë.

Ai tha se, përkundër sjelljes së pafavorshme të të akuzuarit pas dënimit, familja Ademaj beson se vendimi është i drejtë dhe është marrë në përputhje me pasojat që ka shkaktuar vepra penale.

“Ne e presim që vendimi të konfirmohet, pasi është një dënim i drejtë dhe i bazuar në rrethanat e rastit”, përfundoi Syla.

Vendimi përfundimtar pritet të merret në ditët në vazhdim.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy