Gjykatësi federal i Nju Jorkut ka miratur publikimin e dokumenteve të çështjes së trafikimit seksual ndaj Jeffrey Epstein-it, i cili bazohet në kuadër të një ligji të ri që imponon transparencë të plotë mbi hetimet.
Berman ka ndryshuar vendimin e tij të mëparshëm për të mbajtur të mbyllura materialet, duke dhënë argumentin se Kongresi ka miratuar pikërisht ligjin për Transparencën e Dosjeve të Epstein. Gjë që e detyron departamentin e drejtësisë të japi urdhërin për publikimin e këtyre materialeve.
“Viktimat kanë të drejtë që identiteti dhe privatësia e tyre të mbrohen. Siguria dhe privatësia e tyre janë parësore.” -thuhet në vendimin e gjykatësit Berman.
Epstein ishte akuzuar për trafik seksual në korrik të vitit 2019, ndërsa u gjet i vdekur një muaj më vonë në qelinë e tij në një burg të Nju Jorkut, teksa priste gjyqin.
Në gusht, gjykatësi Berman kishte refuzuar kërkesën e Departamentit të Drejtësisë për publikimin e materialeve, për shkak të shqetësimeve të ngritura për sigurinë dhe privatësinë e viktimave. Megjithatë, vendimi i ri hap rrugën për publikimin e dokumenteve, pasi ligji i nënshkruar muajin e kaluar nga presidenti Donald Trump kërkon që materialet të bëhen publike deri më 19 dhjetor.
Ligji parashikon publikimin e dokumenteve të deklasifikuara, komunikimeve dhe provave të tjera hetimore, por lejon që të mbahen të fshehta materialet që lidhen me hetime aktive ose që prekin privatësinë e individëve të përfshirë.

