Seanca e shqyrtimit fillestar në rastin e “Rezervave shtetërore” u anulua sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës, pasi trupit gjykues i munguan kushtet ligjore për zhvillimin e saj. Kryepersonazhi i çështjes, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, nuk u paraqit në sallë.
Sipas gjykatës, Hajdari ishte thirrur në seancë përmes postës, por deri në momentin e seancës nuk kishte konfirmim zyrtar se ftesa ishte marrë nga ajo. Meqë prania e të akuzuarës është e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, gjykata vendosi ta ndërpresë seancën.
Pak pas anulimit, ministrja reagoi publikisht duke refuzuar pretendimin se ka pranuar ndonjë njoftim nga gjykata. Ajo deklaroi se nuk i është dorëzuar asnjë ftesë për datën e sotme.
Në reagimin e saj drejtuar qytetarëve, Hajdari u shpreh:
“Për seancën e sotme gjyqësore, lidhur me çështjen e rezervave shtetërore të mallrave, ju njoftoj se unë nuk kam pranuar ndonjë thirrje për seancë nga ana e Gjykatës! Në momentin që e pranoj thirrjen nga Gjykata, për seancën e ardhshme, do të paraqitem në seancë gjyqësore!”

