Inflacioni 5,3% në nëntor: Pemët shtrenjtohen 16%, rryma 15,5% e mishi gati 14%

by Nexhat

Çmimet e konsumit në Kosovë kanë shënuar rritje të ndjeshme në nëntor 2025, duke arritur një inflacion vjetor prej 5,3% krahasuar me nëntorin 2024, sipas të dhënave të Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK). Ndërkohë, inflacioni mujor, krahasuar me tetorin 2025, ishte 0,4%.

Sipas Agjencisë së Statistikave, rritja vjetore është nxitur kryesisht nga shtrenjtimet në disa kategori kyçe të shportës së konsumatorit. Rritjet më të larta janë regjistruar te shërbimet e tjera që lidhen me pajisjet personale të transportit (18,1%), pemët (16,1%), energjia elektrike (15,5%), biletat e fluturimeve (14,6%), mirëmbajtja e automjeteve (14,1%), kafeja, çaji dhe kakaoja (14%), mishi (13,7%) dhe pushimet e organizuara (13,5%),

banner

Rritje të theksuara kanë pësuar edhe çmimet e produkteve bazike si qumështi, djathi dhe vezët (10,5%), druri dhe lëndët e tjera të ngurta djegëse (9,6%), shërbimet ambulatore (8,9%), shërbimet hoteliere (8,8%) dhe pajisjet terapeutike (8,4%). Edhe duhani, kujdesi personal, vajrat dhe yndyrat, prodhimet ushqimore, buka dhe drithërat kanë shënuar rritje mes 5% dhe 6%.

Nga ana tjetër, ulje të çmimeve janë vërejtur vetëm në disa nënkategori, kryesisht te karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (-0,8%) si dhe te blerja e automjeteve (-0,5%), me ndikim minimal në inflacionin total.

Shtrenjtim edhe në bazë mujore

Sipas ASK-së, inflacioni mujor prej 0,4% gjatë nëntorit është nxitur kryesisht nga shtrenjtimi i disa prej kategorive të njëjta. Më së shumti janë rritur çmimet e shërbimeve të tjera për pajisjet e transportit personal (5,1%), qumështit, djathit dhe vezëve (4,2%), perimeve (3%), energjisë elektrike (1,8%), karburanteve (1,6%), mishit (1,1%) dhe produkteve të kafesë, çajit dhe kakaos (1%).

Ndërkohë, ulje të çmimeve janë regjistruar te biletat e fluturimeve (-15,9%) dhe pushimet e organizuara (-8,2%), duke reflektuar fundin e sezonit të lartë të udhëtimeve.

Të dhënat sugjerojnë se presionet inflacionare vazhdojnë të jenë të pranishme, sidomos në ushqime, energji dhe shërbime, duke ndikuar drejtpërdrejt në buxhetet familjare.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy