Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon me procedurat e tenderimit të diskutueshëm, duke dhënë tender kompanive të cilat kanë punuar me defekte në të kaluarën dhe kanë afërsi me individ të cilët mbajnë pozita politike në qeverinë Kurti.
Vetëm gjatë ditës së sotme, KQZ ka nënshkruar dy kontrata përmes procedurës me negocim. Ndër to spikat kompania sllovene “CETIS”, e cila edhe më parë është përfshirë në polemika për gabime teknike në fletëvotimet e zgjedhjeve lokale. Pavarësisht incidentit të atëhershëm, CETIS është përzgjedhur sërish për shtypjen e fletëvotimeve, një kontratë që kap vlerën e 275 mijë eurove.
Kompania ka qenë në qendër të vëmendjes edhe për shkak të lidhjeve të saj me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Dokumentet tregojnë se Berishaj zotëron 10% të aksioneve në kompaninë shqiptare “Nacional Sh.A.”, ku ndër aksionarët figurojnë edhe “CETIS” dhe kompani të tjera me pronarë sllovenë e kroatë. Kjo hise nuk është deklaruar nga ambasadori Berishaj në Agjencinë Kundër Korrupsionit, duke krijuar dyshime për konflikt të mundshëm interesi, sidomos pas faktit që CETIS është furnizues i rregullt i KQZ-së.
Ndërkohë, KQZ ka dhënë edhe një tender të dytë njëburimor: kontratën për transmetimin e videospoteve dhe radiospoteve informuese për votuesit, brenda dhe jashtë Kosovës. Fitues i kësaj kontrate, me vlerë rreth 66 mijë euro, është shpallur kompania “RED MILL SH.P.K.”.
CETIS, me seli në Celje të Sllovenisë, operon në mbi 50 shtete dhe është e specializuar në dokumente të sigurisë si pasaporta, karta identiteti dhe materiale zgjedhore. Vetëm në vitin 2024, grupi ka realizuar mbi 113 milionë euro të ardhura. Shtypja e fletëvotimeve për Kosovën është bërë nën mbikëqyrjen e delegacionit të KQZ-së në fabrikën e saj në Slloveni.
Megjithatë, gabimet e konstatuara në Mitrovicën e Jugut gjatë balotazhit të zgjedhjeve lokale – ku një pjesë e fletëvotimeve dolën me mospërputhje në formatim – vazhdojnë të ngritin pikëpyetje serioze për cilësinë dhe standardet e procesit, në një kohë kur transparenca dhe integriteti i KQZ-së janë më shumë se kurrë në fokus të publikut.

