Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, me rastin e 100-vjetorit të Urdhrit të Skënderbeut, ndau sot medaljet e vlerësimit për personalitete në fusha të ndryshme, në botën shqiptare.
Presidenti i Republikës u shpreh se “Urdhri i Skëndërbeut” duhet të mbahet si testament për të treguar që Shqipëria ndërtohet nga njerëz me vepra dhe që nderimi publik është një mirënjohje shtetërore, është vlerësim i meritës, jo një shpërblim.
“Së bashku me Urdhrin Suprem të Shqiponjës dhe Urdhrin e Lisit Akademik, këto tre urdhra përbëjnë “trininë e nderimit shtetëror”, duke përfaqësuar tre shtyllat themelore të identitetit kombëtar: flamurin, virtytin dhe dijen. Përzgjedhja e të dekoruarve duhet të mbështetet në parime si meritokracia, objektiviteti, transparenca, proporcionaliteti dhe reciprociteti ndërkombëtar, si shprehje e një kulture të re institucionale në vlerësimin e shërbimit ndaj vendit”, tha Begaj mes të tjerash në fjalën e tij.
Kreu i Shtetit bëri thirrje institucioneve, bashkive dhe qytetarëve që të jenë aktivë në evidentimin dhe propozimin e atyre që, me punën dhe përkushtimin e tyre të heshtur, mbajnë mbi supe barrën e profesionit, qytetarisë dhe integritetit.
Presidenti Begaj theksoi se “shekulli i dytë i Urdhrit të Skënderbeut duhet të jetë shekulli i vlerësimit të ndershëm dhe të paanshëm, të bazuar në kritere të qarta dhe proces të drejtë, në mënyrë që dekoratat të rifitojnë plotësisht peshën dhe respektin që meritojnë në sytë e qytetarëve”.
Duke iu drejtuar të dekoruarve, Presidenti shprehu mirënjohjen e thellë për sakrificën, përgjegjësinë, punën, përkushtimin dhe integritetin e tyre.
“Çdo emër i thirrur në këtë ceremoni përfaqëson një kapitull të rëndësishëm të historisë sonë të përbashkët dhe një shembull frymëzues për brezat që vijnë, sidomos në prag të anëtarësimit në “shtëpinë tonë të përbashkët europiane”, tha Begaj.
Në përfundim, Presidenti Begaj uroi suksese të dekoruarve dhe përsëriti bindjen se Shqipëria ndërtohet nga njerëz me vepra, ndërsa nderimi publik duhet të mbetet gjithmonë shprehje e vlerësimit të meritës dhe jo shpërblim formal. /Panorama

