Jurgen Klopp ka folur hapur për eksperiencën e tij në menaxhimin e Mohamed Salah, duke e cilësuar yllin egjiptian si një futbollist me mentalitet të jashtëzakonshëm dhe një nga më të mëdhenjtë e të gjitha kohëve.
Në një intervistë për BBC Sport, ish-trajneri i Liverpoolit tregoi se Salah nuk ka qenë as i lehtë e as i vështirë për t’u drejtuar, por thjesht një lojtar i cili kërkon gjithmonë të jetë në fushë.
“Unë nuk do të thosha se është i lehtë për t’u menaxhuar, por nuk është as i vështirë. Problemet me Mo shfaqen vetëm kur ai nuk luan ose kur e zëvendëson. Ai gjithmonë zhvillohet, nuk ndalet kurrë. Kjo është mënyra e tij e të menduarit,” u shpreh Klopp, shkruan Gazeta Express.
Trajneri gjerman theksoi se Salah kthehej çdo verë me një element të ri në lojën e tij, duke treguar dëshirë të pandalshme për përmirësim. “Pas çdo pushimi veror ai vinte me një aftësi të re, si të kishte kaluar gjithë kohën duke praktikuar një pasim ose një lëvizje të caktuar. Ne e shtyjmë njëri-tjetrin për të mos ndaluar kurrë, dhe vërtet nuk u ndalëm.”
Klopp kujtoi gjithashtu momentin kulmor të fitimit të Premier League, duke thënë se ai triumf e lidhi përgjithmonë me Salah. “Ajo ditë na lidhi për jetë. Ai moment ishte i paharrueshëm për të gjithë ne.”
Në fund, Klopp vlerësoi Salah-in si një legjendë të futbollit modern. “Ai do të mbahet mend si një nga më të mëdhenjtë e të gjitha kohëve.”
Mohamed Salah ka qenë një nga figurat kyçe të epokës së Klopp-it te Liverpooli, duke regjistruar mbi 200 gola dhe duke fituar trofetë më të rëndësishëm, përfshirë Champions League dhe Premier League.

