Në një deklarim të ashpër në emisionin Kosova Today në Klan Kosova, ish-nënkryetari i OVL-UÇK, Nasim Haradinaj, ka kritikuar jo vetëm Gjykatën Speciale – të cilën e akuzoi për “shantazh ndaj Kosovës” – por edhe Qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti.
Duke komentuar zhvillimet rreth gjyqit të dytë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe lirimin me kusht të Isni Kilajt, Haradinaj u shpreh se institucionet kosovare kanë dështuar të mbrojnë interesat e qytetarëve dhe të të akuzuarve në Hagë.
Sipas tij, qeveria aktuale jo vetëm që nuk ka ushtruar presion institucional ndaj Speciales, por përkundrazi ka krijuar përshtypjen se nuk është e interesuar për të adresuar padrejtësitë që, sipas Haradinajt, po u bëhen të paraburgosurve.
“Ky pushtet nuk i kërkoi asnjëherë llogari zyrtare. Përkundrazi, ju ka dhënë shenja që s’janë as të interesuar për ata njerëz”, deklaroi ai, duke ngritur pikëpyetje mbi angazhimin e Qeverisë Kurti për t’i mbrojtur ish-pjesëtarët e UÇK-së.
Haradinaj akuzoi ekzekutivin për zvogëlim të mbështetjes institucionale, moskrijim të ekipeve të pavarura monitoruese dhe mungesë veprimesh konkrete që do t’i jepnin Kosovës pozicion më të fuqishëm ndaj Speciales.
Ai rikujtoi edhe rastin e Astrit Deharit, duke thënë se qeveria reagoi vetëm në një datë që, sipas tij, i shërbente politikisht, ndërsa çështjet që lidhen me të burgosurit në Hagë sipas tij janë lënë pas dore.

