Analisti politik Visar Ymeri ka komentuar deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili së fundi është distancuar nga gjuha e ashpër e përdorur gjatë e pas fushatës së shkurtit, përfshirë etiketimin e një pjese të opozitës si “hajvanë”.
Kurti së fundi ka thënë se nuk i ka quajtur të gjithë opozitarët me atë shprehje dhe se ndoshta ka qenë e nevojshme të zgjidhte një fjalë më të përshtatshme.
Megjithatë, për Visar Ymerin, kjo qasje nuk është shenjë e një transformimi të vërtetë.
Duke folur në Debat Plus, Ymeri ka thënë se zbutja e gjuhës dhe distancimi nga retorika e mëhershme janë të lidhura drejtpërdrejt me kalkulimet elektorale të Vetëvendosjes.
“Unë mendoj që Albin Kurti po e bën këtë distancim të përkohshëm. Meqë qartazi ne kalkulimet elektorale që i kanë bërë, iu ka dal qartazi se po e pengon LVV-në, se po ia shpejton rënien. Dhe kanë thën më mirë është të ndryshojmë qasjen, që së paku elektoralisht mos me u dëmtu LVV-ja. Meqë kjo gjuhë po duket e papranueshme dhe ky polarizimin shoqëror nuk po i sjellë rezultate që kanë menduar që do t’i sjellë. Përkundrazi po i ndëshkon.
Kisha pas shumë dëshirë që kjo me qenë hyrja në një VV të re. E cila sillet si një parti politike. Kryhen zgjedhjet, i këqyrim numrat dhe pastaj fillon më i bë matematikat… unë mendoj që kjo është më shumë në funksion elektoral, ose në funksion të ngadalësimit të rënies ose të ndaljes së rënies në një përqindje të caktuar’, ka thënë Ymeri

