Autoritetet shëndetësore në Greqi janë vënë në alarm pas zbulimit se një dhurues danez i spermes lidhet me dhjetëra raste kanceri tek fëmijë të lindur përmes fekondimit artificial.
Sipas të dhënave të fundit, nga sperma e këtij dhuruesi kanë lindur gjithsej 18 fëmijë në Greqi, disa prej tyre brenda të njëjtave familje, duke tejkaluar kufijtë e lejuar ligjorë. Një mjek i cituar nga një kanal televiziv grek ka deklaruar se një fëmijë i moshës 5–10 vjeç humbi jetën kohët e fundit nga kanceri. Ky fëmijë ishte pjesë e një familjeje me tre fëmijë, të gjithë të lindur nga i njëjti dhurues. Tragjedia vazhdon, pasi një tjetër fëmijë i së njëjtës familje është diagnostikuar me kancer dhe po i nënshtrohet trajtimit, ndërsa mjekët nuk janë shumë optimistë për shëndetin e tij.
Pas analizave shkencore të veçanta u konkludua se këta fëmijë mbartnin një mutacion shumë të rrallë në gjenin TP53, i cili rrit ndjeshëm rrezikun për forma agresive të kancerit në moshë të vogël. Mutacioni nuk ishte zbuluar gjatë kontrolleve fillestare të dhuruesit, pasi ishte i pranishëm vetëm në një pjesë të spermatozoideve të tij.
Rasti nuk kufizohet vetëm në Greqi. Sipas të dhënave, i njëjti dhurues danez ka sjellë në jetë të paktën 197 fëmijë në 14 vende të Europës, përmes dhjetëra klinikave të fertilitetit.
Deri tani, 77 fëmijë janë testuar, dhe 25 prej tyre janë mbartës të mutacionit, ndërsa disa kanë ndërruar jetë në moshë të vogël.
Ekspertët flasin për një dështim të thellë të sistemit: mungesë koordinimi mes vendeve të Bashkimit Europian, ligje të ndryshme mbi kufirin e dhurimeve dhe një industri shumë fitimprurëse, por me mbikëqyrje të dobët. Rasti ka hapur një debat të fortë në nivel europian për nevojën e një mekanizmi të përbashkët kontrolli, në mënyrë që siguria e fëmijëve dhe familjeve të mos lihet në dorë të tregut.

