Pas Lubjanës, Sllovakia në alarm: Masa të rrepta për biletat ndaj Kosovës

by informim peje

Adriatik BALLA

Pasi Fisnik Asllani shënoi në minutën e gjashtë për epërsinë 1:0 të Kosovës ndaj Sllovenisë, festuan shumica e 15 mijë shikuesve në stadium. Dhe shumica ishin shqiptarë – mbështetës të Kosovës. Sllovenia ishte angazhuar që të pamundësonte atë skenë, përkatësisht që tifozët e Kosovës të mos ishin shumicë në një ndeshje të Sllovenisë si vendase.

banner

Tifozët e Kosovës ia dolën të sigurojnë shumicën e biletave e kjo bëri bujë. Një pjesë të konsiderueshme të tyre i blenë në treg të zi, madje edhe në Kroaci, me çmim dukshëm më të lartë se çmimi zyrtar. Kosova ndeshjen e ardhshme e luan më 26 mars ndaj Sllovakisë në Bratislavë. Është tjetër ndeshje shumë e rëndësishme. Madje edhe më e rëndësishme se ajo në Lubjanë.

Është gjysmëfinalja e “play-off”-it për kualifikim në Botërorin 2026 në futboll. Federata e Futbollit e Sllovakisë tashmë ka vënë në shitje biletat. Dhe ka marrë masat që biletat të mos përfundojnë te tifozët e Kosovës. Se sa do t’ia dalë do të shihet vetëm në mbrëmjen e 26 marsit. Por është thuajse e pamundur që në Sllovaki të ketë mbështetës të Kosovës sa kishte në Slloveni. Ka shumë arsye për këtë.

Ndërkohë, në Sllovaki numri i shqiptarëve është dukshëm më i vogël se në Slloveni. Edhe vendet përreth Sllovakisë nuk është që shquhen për numrin e madh të shqiptarëve. Masat që morën sllovakët po ashtu mund të zvogëlojnë numrin e mbështetësve të Kosovës, përkundër interesimit të madh që do të jetë për ndeshje.

Sllovakët po i shesin biletat më shumë se tre muaj para ndeshjes.

Nga Kosova qasja në faqen e internetit ku shiten biletat nga federata sllovake nuk është fare e mundur. “Shitja nuk lejohet. Na vjen keq, shitja e biletave nuk është e mundur në regjionin tuaj”, shkruan në ëeb-faqe, nëse ajo provohet të hapet nga Kosova. Faza e parë e shitjes së biletave, ajo për “tifozët vendas të regjistruar deri më 4 dhjetor”, nisi që më 5 dhjetor. Ndërkohë nga 10 dhjetori nisi shitja e biletave “për publikun e përgjithshëm nga Sllovakia”.

Pra bileta mund të blejnë vetëm shtetasit sllovakë. Biletat kanë çmim prej 19 euro deri në 220 euro, sa kushtojnë ato për zonën VIP. Për të blerë biletë, regjistrimi në sajtin “vstupenkysfz.sk” është i detyrueshëm.

Qasja në këtë sajt nga Kosova nuk është e mundur.

“Para se të konfirmohet pagesa, është e nevojshme që të shtypet kodi i aktivizimit që dërgohet me SMS në një numër celulari sllovak. Biletat shiten me emër, mbiemër, datë të lindjes dhe adresë të secilit posedues të saj. Do të ketë kontrollim të dokumenteve të identifikimit gjatë hyrjes në stadium pasi të dy ndeshjet janë të rrezikshmërisë së lartë”, shkruan në njoftimin e federatës sllovake.

Vetëm 5% të biletave për Kosovën

Stadiumi Nacional në Bratislavë, ku luhet ndeshja, ka kapacitet prej 22 mijë e 500 ulëseve. Pesë për qind të biletave u takojnë tifozëve të Kosovës. Me gjithë masat e sllovakëve, është lehtë e mundur që në stadium të ketë më shumë mbështetës të Kosovës se 5 %. Kosova do ta kërkojë fitoren në Bratislavë për të siguruar finalen e “play-off”-it. Nëse fiton, finalen e luan më 31 mars në “Fadil Vokrri”, ndaj Turqisë apo Rumanisë.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy