Ambasadori i karrierës Albert Prenkaj ka vlerësuar se mesazhet e fundit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë përbëjnë një sinjal të qartë pakënaqësie ndaj qasjes së Qeverisë në detyrë dhe, sipas tij, reflektojnë kërkesën e Uashingtonit për një qeveri më bashkëpunuese dhe më pak konfliktuoze në Kosovë.
Duke komentuar thirrjen e ambasadës amerikane për ndërmarrjen e hapave konkretë në uljen e tensioneve, me qëllim rikthimin e dialogut strategjik SHBA–Kosovë, Prenkaj tha se këto qëndrime duhet të merren seriozisht nga institucionet dhe nga qytetarët. Në një intervistë për RTV21, ai theksoi se reagimet e vazhdueshme nga SHBA-ja tregojnë qartë se ekziston pakënaqësi ndaj mënyrës se si po udhëhiqet politika aktuale, veçanërisht ndaj qasjes së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Sipas Prenkajt, publiku në Kosovë është mësuar me, siç i quajti ai, eufemizmat dhe narrativën politike të Kurtit dhe mbështetësve të tij, por tani është momenti që të lexohen saktë mesazhet që vijnë nga partneri kryesor strategjik i vendit. Ai rikujtoi se Departamenti Amerikan i Shtetit dhe institucionet relevante të Kongresit kanë përmendur disa herë “vijat e kuqe” dhe kanë identifikuar drejtpërdrejt Kurtin si burim të problemeve në raportet me SHBA-në.
Prenkaj vlerësoi se reagimi i fundit i Ambasadës amerikane, që kërkon deeskalim dhe bashkëpunim, është një paralajmërim i drejtpërdrejtë se dialogu strategjik nuk mund të rifillojë përderisa Kosova vazhdon me veprime që, sipas tij, e izolojnë vendin dhe e rikthejnë diskursin politik në një retorikë nacionaliste historike. Ai shtoi se kjo qasje po keqkuptohet nga një pjesë e opinionit publik dhe, në vend që ta forcojë pozitën e Kosovës, po e dëmton atë në raport me aleatët ndërkombëtarë.

