Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me fermerë dhe sipërmarrës të qarkut të Elbasanit, theksoi se iku koha kur bujqësia funksiononte me lëmosha elektorale.
Ai tha se me sasi fermerët shqiptarë nuk konkurrojnë dot botën, por mund ta konkurrojnë atë me cilësi.
“Ikëm nga koha kur bujqësia funksiononte me lëmosha elektorale. Duhet të kemi të gjithë mbështetjen. Që të vijë nga gjithë këto drejtime zhvillimi dhe paraja, duhet kapaciteti për ta thithur. Unë dua që këto vite të jenë vitet e krijimit të ndërmarrjeve të përbashkëta mes fermerëve dhe pushtetit vendor. Ndërmarrje që sjellin më shumë të ardhura për ju dhe jo ne. Kapitali fillestar për ndërmarrje të tilla duhet të jetë modest, që më pas ju të punoni dhe të mendoni se si duhet të paguani kredinë e mos të detyroheni që të shisni shtëpinë. Të mbështetemi te shembujt e mirë. Para meje patë dikë që nuk e ka dritën e syve, por ka dritën e shpirtit, e shpirtit fisnik që ka ara dhe për të ndërtuar me duart e veta atë ndërmarrje të nisur nga një dhomë në shtëpinë e vetë në fshat. Kur e bën ai, aq bukur dhe mirë, çfarë i mungon të tjerëve. Kur shembulli i tij tregon se kush e do tokën, dhe përkëdhel fidanët e asaj toke që të bëjë sukses, çfarë na pengon neve? Ne nuk konkurrojmë dot me sasi botën, por mund të konkurrojmë me cilësi, si disa prej jush. Besoj se nuk ka asnjë vështirësi që ne nuk e kalojmë dot. Është koha për të bërë një hov të madh cilësor dhe në këtë sektor. I kam kërkuar ministrit të Bujqësisë që të lërë zyrën e bashkisë në Cërrik dhe të vijë në Tiranë, por mos të rrijë në Tiranë, por të jete aty me ju!”, tha Rama.

