Abdixhiku nga Istogu: Zgjidh shpresën, zgjidh dinjitetin

by engel

Istogu u shndërrua në pikënisjen e fushatës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, aty ku kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, përcolli mesazhe mirënjohjeje, uniteti dhe shprese, duke e quajtur këtë qytet “dashnia jonë” dhe shembull të dinjitetit qytetar.

Para qytetarëve, Abdixhiku rikujtoi mbështetjen e fuqishme që Istogu i ka dhënë LDK-së në zgjedhjet lokale, me mbi 60 për qind të votave, duke e cilësuar këtë besim si përgjegjësi për të ndërtuar politika që prekin drejtpërdrejt jetën e njerëzve. “Ky qytet flet gjithnjë me dinjitet”, theksoi ai, duke nënvizuar rolin e njerëzve që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për Kosovën.

banner

Nga Istogu, Abdixhiku shpalli një nga zotimet kryesore të programit qeverisës të LDK-së: pensione dinjitoze për secilin pensionist. Sipas planit të prezantuar, rritja do të jetë graduale – 200 euro në vitin e parë, 250 në të dytin dhe 300 euro në vitin e tretë – si shprehje respekti për brezat që ndërtuan shtetin dhe si garanci për një pleqëri me dinjitet.

Në tubimin hapës, kryetari i LDK-së prezantoi programin qeverisës që e cilësoi si më të drejtin dhe më të përgjegjshmin që ka pasur ndonjëherë Kosova. Një program me zotime konkrete dhe numra të qartë, i orientuar drejt forcimit të familjes, investimeve në arsim dhe shëndetësi, zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të reja të punës, si dhe ndërtimit të rendit, sigurisë dhe institucioneve funksionale.

Por, sipas Abdixhikut, programi merr kuptim vetëm përmes njerëzve që e zbatojnë atë. Ai vuri theksin te ekipi i LDK-së në Istog, duke prezantuar kandidatë që përfaqësojnë profesionalizëm, integritet dhe përkushtim qytetar: Prof. Dr. Serbeze Kabashi Muçaj, mjeke dhe profesoreshë universitare me përvojë të gjatë; Shkëmb Shaban Manaj, jurist i njohur për mbrojtjen e Kushtetutës dhe drejtësisë; dhe Besim Mulaj, ekonomist e jurist me angazhim të vazhdueshëm në administratë dhe në LDK.

Në këtë tubim u prezantua edhe Ukë Ibrahim Rugova, ish-deputet dhe vazhdues i vlerave rugoviane, si simbol i trashëgimisë politike dhe vizionit demokratik të LDK-së.

“Istogu i LDK-së është Istogu i shpresës”, ishte mesazhi përmbyllës i Abdixhikut, duke ftuar qytetarët të zgjedhin dinjitetin, përgjegjësinë dhe të ardhmen. “Zgjidh shpresën”, ishte thirrja që shënoi fillimin e një fushate të ndërtuar mbi besim dhe vizion.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy