Bashkimi Evropian ka përsëritur mesazhin e tij të qartë se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet kusht kyç për avancimin e të dyja vendeve në procesin e integrimit evropian. Në Deklaratën e Brukselit, të miratuar në kuadër të Samitit BE–Ballkani Perëndimor, theksohet se mungesa e përparimit konkret në dialog vazhdon t’i mbajë Prishtinën dhe Beogradin larg Bashkimit Evropian.
BE-ja nënvizon se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e ndërmjetësuar prej saj duhet të zbatohen pa vonesa, me theks të veçantë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin përkatës. Sipas Brukselit, vetëm përmes angazhimit konstruktiv dhe rezultateve të matshme mund të hapet rruga për përfitime konkrete politike dhe financiare.
Në deklaratë bëhet e ditur gjithashtu se mbështetja financiare për vendet e Ballkanit Perëndimor, përmes Instrumentit për Reforma dhe Rritje, do të kushtëzohet drejtpërdrejt me përparimin në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi.
Dokumenti u miratua nga Bashkimi Evropian dhe partnerët rajonalë, por në fund të tij vihet në dukje se Serbia nuk është harmonizuar me përmbajtjen e deklaratës, pasi përfaqësuesit e saj munguan në samit.

