Në Samitin BE -Ballkani Perëndimor në Bruksel, udhëheqësit e Bashkimit Evropian (BE) dhe të Shteteve Anëtare të tij, në konsultim me partnerët e Ballkanit Perëndimor, në konkluzionet e arritura konstatojnë se “mungesa e normalizimit të marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit vazhdon t’i pengojë të dy partnerët në rrugën e tyre evropiane”.
Tutje, në deklaratë theksohet se “të gjitha marrëveshjet e arritura në Dialogun Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja duhet të zbatohen, në veçanti Marrëveshja mbi Rrugën Drejt Normalizimit dhe Aneksit të saj. Mbështetja në kuadër të Instrumentit për Reformën dhe Rritjen e Ballkanit Perëndimor kushtëzohet nga angazhimi konstruktiv i partnerëve me përparim të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve të tyre”.

