UEFA dhe CONMEBOL, në bashkëpunim me Federatën Spanjolle të Futbollit dhe atë Argjentinase, kanë njoftuar sot zyrtarisht vendin, datën dhe orarin e zhvillimit të “Finalissima 2026”.
Dy kampionët kontinentalë, fituesi i Kampionatit Europian 2024 dhe fituesi i Kupës së Amerikës 2024, do të përballen në stadiumin “Lusail” në Katar, të premten më 27 mars. Ndeshja do të nisë në orën 21:00 dhe do të organizohet nga Komiteti Organizator Lokal i Katarit për eventet futbollistike.
“Finalissima” është rikthyer si rezultat i bashkëpunimit mes UEFA-s dhe CONMEBOL-it, me synimin për të bashkuar më të mirën e futbollit të kombëtareve europiane dhe atyre të Amerikës së Jugut. Ky event konsiderohet një festë e madhe e futbollit dhe një simbol i lidhjes mes dy konfederatave më të fuqishme në botë.
Edicioni i parë i “Finalissima”-s në formatin aktual u zhvillua në vitin 2022, kur Argjentina, kampione në fuqi e botës, mposhti Italinë me rezultat bindës 3-0 në stadiumin legjendar “Wembley” të Londrës.
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka theksuar rëndësinë e këtij eventi.
“Finalissima bashkon dy kampionë kontinentalë në një nga eventet më prestigjioze të futbollit, duke evidentuar efektin global të këtij sporti dhe lidhjen mes konfederatave tona. Mezi e presim këtë mbrëmje.”
“Finalissima 2026” pritet të tërheqë vëmendjen e miliona tifozëve në mbarë botën dhe të ofrojë një spektakël të nivelit më të lartë futbollistik

