Curtis Jones ka folur hapur për të zbuluar saktësisht se çfarë u tha Mohamed Salah shokëve të skuadrës te Liverpool pas intervistës së tij kontroverse.
Pas barazimit zhgënjyes 3-3 të Liverpoolit ndaj Leeds United në “Elland Road”, ylli i skuadrës, Salah, vendosi të flasë për mediat në një intervistë befasuese pas ndeshjes.
Sulmuesi kritikoi klubin dhe trajnerin Arne Slot, duke deklaruar se ndihej sikur ishte “hedhur nën autobus” pasi kishte nisur nga stoli për ndeshjen e tretë radhazi.
Pas incidentit, Salah u la jashtë skuadrës së Liverpoolit për fitoren 1-0 ndaj Interit në Ligën e Kampionëve, por u rikthye në ekip për triumfin 2-0 kundër Brightonit, çka sugjeroi se situata ishte qetësuar.
Tani, bashkëlojtari i tij Curtis Jones ka sqaruar se çfarë ndodhi pas intervistës së Salahut dhe çfarë u tha egjiptiani shokëve të skuadrës në dhomat e zhveshjes pak më vonë.
Menjëherë pas komenteve të diskutueshme të Salahut, lojtarët e Liverpoolit qëndruan relativisht të heshtur, duke i lënë Slotit detyrën të përfaqësonte publikisht qëndrimin e klubit.
Por kjo ka ndryshuar tashmë, pasi Jones ka treguar se nuk mban asnjë mllef ndaj bashkëlojtarit të tij, pasi Salah iu afrua ekipit për të kërkuar falje për ndikimin që intervista mund të kishte pasur te ta.
Duke folur për “Sky Sports”, Jones tha: “Mo është njeriu i vet dhe mund të thotë gjërat e tij. Ai na kërkoi falje dhe tha: ‘Nëse kam ndikuar te dikush ose ju kam bërë të ndiheni në ndonjë mënyrë, ju kërkoj falje’. Ky është njeriu që ai është. Unë mund të flas vetëm nga ajo që e njoh Mo-n dhe si është ai me ne dhe si u soll nëastit. Ai ishte pozitiv gjithashtu. Ishte i njëjti Mo, me një buzëqeshje të madhe në fytyrë dhe të gjithë ishin njësoj me të. Mendoj se kjo është pjesë e dëshirës për të qenë fitues dhe nuk besoj se ai do të jetë i fundit”.
Edhe pse Salah u rikthye në fushë si zëvendësim i hershëm ndaj Brightonit, ai nuk do të luajë sërish për Liverpoolin deri nga mesi i janarit, pasi do të përfaqësojë Egjiptin në Kupën e Afrikës së Kombeve.
Megjithatë, kur të rikthehet, është e qartë se nuk do të ketë ndjenja negative ndaj 33-vjeçarit, pasi Jones shpreh mirëkuptim për arsyet e shpërthimit të tij.
“E kuptoj që ka mënyra të caktuara se si mund t’i bësh gjërat, por nëse një lojtar është i kënaqur të rrijë thjesht në stol dhe nuk dëshiron të luajë e të ndihmojë ekipin, atëherë mendoj se ky është një problem më i madh,” shtoi Jones. “Kur ka pasur ndonjë zemërim nga ana jonë, përfshirë edhe mua, gjithmonë ka ardhur nga një vend i mirë. Në atë moment ndoshta nuk ka dalë në mënyrën e duhur, por kurrë nuk ka qenë për të dëmtuar ekipin, stafin, trajnerin apo dikë tjetër. Tani e kemi lënë pas këtë situatë dhe po lidhemi mirë si skuadër, po luajmë mirë dhe po fillojmë të fitojmë ndeshje”, përfundoi ai.

