Gjermania ka riafirmuar mbështetjen e saj të vazhdueshme për misionin e KFOR-it në Kosovë, gjatë Konferencës së Shteteve Kontribuese të Forcave KFOR, e cila u mbajt sot.
Në këtë konferencë, i Ngarkuari me Punë i Ambasadës Gjermane në Kosovë, Christian Böttcher, theksoi rëndësinë e rolit që ushtarët gjermanë luajnë në kuadër të KFOR-it, si dhe mbështetjen për ekipin këshillues dhe ndërlidhës të NATO-s.
Sipas njoftimit të Ambasadës Gjermane, u vlerësua se kontributi i forcave gjermane është thelbësor për garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm, si dhe për lirinë e lëvizjes në Kosovë. Po ashtu, angazhimi i tyre u cilësua si një element i rëndësishëm i paqes dhe bashkëpunimit në Evropë.
Në deklaratë u shprehën falënderime për të gjithë pjesëtarët që shërbejnë në këto misione, duke u vlerësuar përkushtimi dhe shërbimi i tyre në kuadër të operacioneve të NATO-s në Kosovë.

