Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe numri dy në listën zgjedhore të kësaj partie, Uran Ismaili, ka vizituar sot disa biznese lokale në Ferizaj, në kuadër të aktiviteteve zgjedhore, së bashku me kandidatin për kryeministër Bedri Hamza dhe kryetarin e Ferizajt, Agim Aliu.
Ismaili theksoi se përkrahja e bizneseve vendore është një nga prioritetet kryesore të programit të PDK-së, duke nënvizuar se zhvillimi ekonomik nuk mund të arrihet pa politika konkrete që lehtësojnë punën dhe investimet e sektorit privat.
Sipas tij, programi i PDK-së parasheh grante investive deri në 30 për qind të vlerës së investimit, pagesën e TVSH-së pas shitjes e jo në kufi për më shumë likuiditet për bizneset prodhuese, si dhe themelimin e Agjencisë së Eksporteve për hapjen e tregjeve të reja.
Ismaili tha se këto masa synojnë ta vendosin biznesin në qendër të zhvillimit ekonomik, me shtetin në rol mbështetës e jo pengues për iniciativën private, duke shtuar se zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia e qytetarëve janë pjesë qendrore e vizionit të PDK-së dhe Bedri Hamzës për qeverisjen e ardhshme.
Në fund, ai ftoi qytetarët që më 28 dhjetor të votojnë për zhvillim ekonomik dhe përkrahje reale të bizneseve.

