Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se shteti i Bahamas ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës, duke u bërë shteti i 121-të që e njeh pavarësinë e saj dhe i katërti vetëm gjatë këtij viti.
Përmes një shkrimi publik, Kurti theksoi se viti 2024 ka qenë “viti i pasaportës së Kosovës”, ndërsa viti 2025, sipas tij, po shënon një fazë të re me njohje të reja ndërkombëtare pas një periudhe të gjatë stagnimi në këtë drejtim.
Ai përgëzoi qytetarët për këtë zhvillim dhe shprehu mirënjohje të veçantë për presidenten Vjosa Osmani, institucionet shtetërore dhe partnerët ndërkombëtarë, duke e cilësuar njohjen nga Bahamas si një arritje të rëndësishme në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Kurti theksoi se me këtë njohje po zgjerohen edhe miqësitë ndërkombëtare të Kosovës, së bashku me mundësitë për bashkëpunim. Ai shprehu pritshmëri që njohja reciproke të shndërrohet në një partneritet të sinqertë dhe të qëndrueshëm me shtetin dhe popullin e Bahamas.

