Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka qëndruar në Junik, ku ka mbajtur një takim me qytetarë, duke folur për, siç u shpreh ai, nevojën që Kosova ka për qetësi, drejtësi dhe një drejtim të sigurt politik.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku theksoi se vendit nuk i duhen politika që ndajnë shoqërinë, por punë që bashkojnë qytetarët dhe forcojnë shtetin.
“Sonte, në Junik, folëm për Kosovën që ka nevojë për qetësi, drejtësi dhe drejtim të sigurt. Jo për politika që ndajnë, por për punë që bashkojnë. Jo për improvizim, por për shtet që funksionon”, ka shkruar ai.
Kreu i LDK-së vlerësoi Junikun si një qytet që, sipas tij, di të bëjë dallimin mes zhurmës dhe vlerës, duke theksuar se fjala dhe angazhimi politik aty kanë peshë të veçantë.
“Junik e di dallimin mes zhurmës dhe vlerës. Prandaj këtu fjala ka peshë”, u shpreh Abdixhiku.
Ai shprehu optimizëm edhe për proceset zgjedhore, duke thënë se në Junik pritet festë si në zgjedhjet lokale, ashtu edhe në ato qendrore.
Në fund të postimit, Abdixhiku falënderoi qytetarët e Junikut për mikpritjen, dinjitetin dhe besimin e treguar.

