Lëvizja Vetëvendosje (LVV) insiston ta konsiderojë qeverisjen e saj si më të mirën që ka ndodhur në vend, duke kritikuar dhe adresuar fajin te partitë ish-opozitare edhe për ngërçin politik me të cilin vendi po përballet që nga zgjedhjet e 9 shkurtit, pasi këto zgjedhje nuk prodhuan një fitues që do të mund ta formonte Qeverinë, raporton Ekonomia Online.
Ish-ministrja e Drejtësisë, njëherësh nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online është shprehur e sigurt se në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit VV do të ketë rezultat shumë më të mirë se ai i 9 shkurtit. Ajo thekson se pas zgjedhjeve do të flitet për koalicione, por ka përjashtuar mundësinë e një bashkëpunimi me PDK-në, duke thënë se fillimisht kjo parti duhet të reformohet.
Gjatë intervistës, Haxhiu ka vazhduar me një avaz të ngjashëm, duke sulmuar Prokurorinë Speciale, por edhe duke thënë se shumë zyrtarë shtetërorë janë bërë milionerë duke qenë vetëm politikanë, si dhe duke folur për “lojën” politike me çështjen e Listës Serbe.
Haxhiu ka treguar, sipas saj, përpjekjet e LVV-së për takime me partitë opozitare para se të propozohej edhe Glauk Konjufca si kandidat për kryeministër.
“Unë besoj se gjatë kësaj kohe qytetarët e Kosovës kanë mundur t’i shohin veprimet e subjekteve politike, t’i vlerësojnë ato dhe më 28 dhjetor është dita kur ata do të vendosin se kush do të mbajë përgjegjësi për situatën aktuale. Ne jemi vazhdimisht në terren dhe shohim qëndrimet e qytetarëve në raport me situatën aktuale, sidomos me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë. Është e vërtetë se Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 9 shkurtit ka qenë subjekti më i madh në vend, ndërsa kryeministri Kurti është personi me mbështetjen më të madhe qytetare ndonjëherë në Republikën e Kosovës, por kjo nuk na ka mjaftuar që ta formojmë Qeverinë, pavarësisht përpjekjeve për bashkëpunim me LDK-në dhe Nismën.
Nisma kishte kërkesa në shpërputhje me fuqinë e saj politike, ndërsa LDK refuzoi të ketë takime me ne për një koalicion qeverisës. Në rrethana kur LVV varet qoftë edhe nga një deputet i vetëm, po tentohet të vazhdohet me të njëjtën mendësi si në të kaluarën, me pazare për koalicione. Ne nuk konsiderojmë se nuk bashkëpunojmë me subjektet politike, por janë ata që po e vështirësojnë konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë, duke zvarritur krijimin e institucioneve.
Është e rëndësishme mbështetja e qytetarëve dhe bazuar në situatën në terren, jam optimiste se rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit do të jetë shumë më i mirë se ai i 9 shkurtit. Pas certifikimit të rezultateve do të ulemi dhe do të shohim se a na nevojitet ndonjë subjekt politik dhe kush mund të jetë partner potencial. Sa i përket PDK-së, ajo duhet të reformohet që VV ta konsiderojë si partnere. Për momentin, fokusi ynë është fushata zgjedhore, takimet me qytetarët dhe mërgatën”, tha ajo.
Haxhiu ka vlerësuar edhe listën e tyre për deputetë, duke thënë se është lista më e mirë nga të gjitha partitë.
“Së pari, në Prizren kemi pasur një tubim madhështor, ku kemi prezantuar listën prej 110 kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje bashkë me partnerët tanë. Kësaj liste i prin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Në këtë listë ka aktivistë të hershëm të LVV-së, profesionistë të fushave të ndryshme – juristë, mjekë, ekonomistë – prandaj konsideroj se është lista më e mirë e këtyre zgjedhjeve”, theksoi ajo.
Duke folur për kundërshtimet ndaj certifikimit të Listës Serbe, Haxhiu tha se kjo listë nuk e njeh Republikën e Kosovës dhe dirigjohet nga Serbia.
“Sipas nesh, Lista Serbe nuk është subjekt që ka dalë nga vullneti i qytetarëve serbë në Kosovë, por produkt i pazareve në negociata me Serbinë. Ajo nuk e njeh Republikën e Kosovës dhe vepron kundër Kushtetutës. Kryetari formal i saj, Milan Radojçiq, është përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë dhe Serbia nuk e dorëzon atë. Për këto arsye, ne kemi kundërshtuar certifikimin e Listës Serbe në KQZ, por vendimi u kthye mbrapsht nga instancat e tjera”, tha ajo.
Haxhiu nuk ka shprehur shenja të tërheqjes nga krahasimi që bëri mes deputetëve të PDK-së dhe Listës Serbe përmes një fotografie nga seanca ku Glauk Konjufca nuk mori votat për kryeministër.
“Unë kam pasqyruar një realitet. Lista Serbe dhe opozita kanë vepruar në linjë që nga 15 prilli. Opozita kurrë nuk ka votuar kundër Listës Serbe, madje as në KQZ. Ata duhet të japin llogari, jo unë për një fotografi”, tha ajo.
Haxhiu tha se LVV ka bërë përpjekje për formimin e Qeverisë, por se vota bllokuese ka qenë e opozitës.
“Në të gjitha seancat kemi votuar për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë, por opozita ka refuzuar vazhdimisht. Përgjegjësia për bllokadën mbetet tek ata”, nënvizoi ajo.
Ish-ministrja e Drejtësisë foli edhe për Prokurorinë Speciale, duke e akuzuar sistemin e drejtësisë se po mbyll sytë përballë krimit dhe korrupsionit.
“Qeveria ka dorëzuar mbi 200 dosje për dyshime të keqpërdorimeve milionëshe, por asnjëra nuk është trajtuar. Shumë zyrtarë janë bërë milionerë para syve të drejtësisë. Ne nuk do të ndalemi derisa të ndërtojmë një sistem të fuqishëm dhe profesional të drejtësisë”, tha Haxhiu.
Ajo i doli në mbrojtje edhe kryeministrit Albin Kurti dhe ministres në detyrë Rozeta Hajdari, duke thënë se asnjëherë nuk ka pasur refuzim për t’iu përgjigjur Prokurorisë Speciale.
Së fundmi, duke folur për aktakuzën për sulmin në Ibër-Lepenc, Haxhiu tha se sfidë mbetet mosdorëzimi i të dyshuarve nga Serbia.
“Kriminelët duhet të dalin para drejtësisë. Serbia vazhdon të jetë strehë për kriminelë dhe terroristë. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë dorëzimin e tyre në Republikën e Kosovës”, përfundoi ajo./EO

