Reagimi i Lulzim Pecit ndaj zhvillimeve të fundit ndërkombëtare dhe heqjen e masave ndaj Kosovës

by engel

Diplomati dhe analisti politik Lulzim Peci ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, duke i vlerësuar ato me një qasje kritike dhe realiste. Ai shpreh mirëkuptim për heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës dhe për qasjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Ballkanit dhe Kosovës, të reflektuar në Ligjin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA).

Por në anën tjetër, Peci kundërshton interpretimet që i cilësojnë këto zhvillime si fitore diplomatike. Në vlerësimin e tij, vendosja e masave nga BE-ja ka qenë një humbje strategjike për Kosovën, ndërsa heqja e tyre nuk përbën sukses, por një përpjekje për menaxhimin e dëmit të shkaktuar nga, siç e quan ai, mungesa e profesionalizmit në menaxhimin e marrëdhënieve me partnerët kryesorë ndërkombëtarë.

banner

Sipas Pecit, këto zhvillime krijojnë një hapësirë të re veprimi për Qeverinë e ardhshme, e cila pritet të formohet pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Megjithatë, ai paralajmëron se vazhdimi i qasjes aktuale politike mund ta vendosë Kosovën në një cikël të rrezikshëm mes stagnimit dhe sanksionimit ndërkombëtar.

Ai thekson gjithashtu se NDAA e SHBA-së nuk duhet të interpretohet si rezultat i ndonjë angazhimi specifik diplomatik të Kosovës. Sipas tij, ky ligj pasqyron interesat afatgjata të sigurisë amerikane dhe arkitekturën e sigurisë euroatlantike, ku Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit janë më tepër pjesë përbërëse sesa aktorë vendimmarrës.

Një shqetësim i veçantë, sipas Pecit, është ndërprerja e Dialogut Strategjik me Uashingtonin, të cilin ai e cilëson si sinjal alarmi për çdo shtet që synon marrëdhënie serioze dhe të qëndrueshme me aleatët e tij. Ai nënvizon se aleancat ndërtohen dhe ruhen përmes koordinimit, parashikueshmërisë dhe besueshmërisë, e jo përmes retorikës politike.

Në përfundim, Peci vëren se pasojat e politikave të papërgjegjshme i bart kryesisht populli, ndërsa aktorët politikë që i kanë shkaktuar ato shpesh vazhdojnë të qëndrojnë në pushtet, duke i mbuluar kostot reale me deklarata optimiste dhe fraza tërheqëse.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy