Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit ndaj shtatë personave të dyshuar për përfshirje në një skemë të organizuar korrupsioni, e cila dyshohet se i ka shkaktuar shtetit dëme financiare prej miliona eurosh përmes kompensimeve të paligjshme për toka të shpronësuara.
Në mesin e të dyshuarve është edhe ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, së bashku me avokaten Mirlinda Bllata-Dibrani, gjyqtarin Jovica Mitrović, Bedri Dibranin, Shaban Tërbunjën, Naim Krasniqin dhe Goran Llazic. Ata dyshohen për vepra penale që përfshijnë keqpërdorimin e pozitës zyrtare, marrjen dhe dhënien e ryshfetit, ushtrimin e ndikimit dhe deklarime të rreme.
Sipas dokumenteve të Prokurorisë, të siguruara nga “Betimi për Drejtësi”, të dyshuarit kanë ndërtuar një mekanizëm të strukturuar për përfitime të kundërligjshme nga procesi i shpronësimit të pronave private. Dyshohet se janë parashtruar propozim-ankesa jashtë afateve ligjore, në raste kur kompensimi për pronat ishte dhënë më herët, duke shkelur drejtpërdrejt legjislacionin në fuqi.
Prokuroria pretendon se avokatja Mirlinda Bllata-Dibrani ka iniciuar këto procedura gjyqësore për llogari të ish-pronarëve, ndërsa më pas ka tërhequr mjetet financiare të ekzekutuara nga thesari i shtetit dhe i ka shpërndarë tek anëtarët e tjerë të rrjetit sipas marrëveshjeve paraprake.
Sipas aktakuzës së përkohshme, gjyqtari Jovica Mitrović dhe përfaqësues të Avokaturës së Shtetit, përfshirë Naim Krasniqin, nuk kanë kundërshtuar ankesat e dyshuara si të parregullta dhe kanë lejuar përmbylljen e tyre me ujdi gjyqësore, duke hapur rrugën për pagesa të dyfishta dhe përfitime të paligjshme.
Në kërkesën për paraburgim, të nënshkruar nga prokurori special Dren Paca, thuhet se Fadil Ismajli ka pasur rol ndërmjetësues, duke koordinuar transferimin dhe shpërndarjen e shumave të përfituara. Sipas Prokurorisë, ai ka pranuar rreth 210 mijë euro nga ekzekutimi i një pagese dhe i ka dorëzuar tek Bedri Dibrani, i cili më pas i ka ndarë paratë tek të dyshuarit e tjerë në shuma të përcaktuara.
Prokuroria pretendon se disa prej të dyshuarve janë kapur në flagrancë duke numëruar dhe shpërndarë paratë, ndërsa dokumentet dhe shënimet e sekuestruara tregojnë skemën e shpërndarjes dhe përfituesit e përfshirë. Hetimet janë mbështetur në prova materiale të siguruara përmes përgjimeve të fshehta, kontrolleve të vendbanimeve, sekuestrimit të pajisjeve elektronike dhe intervistimit të dëshmitarëve.
Sipas Prokurorisë, ekziston rrezik real i arratisjes, ndikimit në dëshmitarë dhe pengimit të procedurës penale, çka e bën paraburgimin masën e vetme efektive për garantimin e një procesi të rregullt gjyqësor.
Operacioni policor është finalizuar më 18 dhjetor, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme ka konfirmuar arrestimet në kuadër të luftës kundër korrupsionit. Ndërkohë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka njoftuar se do të ndërmarrë masa ndaj gjyqtarit të përfshirë në këtë rast.

