Futbolli afrikan nis festën, 24 kombëtare nisin betejën për titullin

by Nexhat

Tifozët e futbollit afrikan dhe ata që adhurojnë rezultate të papritura kanë arsye për të festuar, pasi sot nis zyrtarisht Kupa e Kombeve Afrikane, turneu më i madh kontinetal i futbollit, që këtë herë zhvillohet në Marok.

Edhe pse nuk konsiderohet gjithmonë si gara më e fortë kontinentale, Kupa e Kombeve Afrikane mbetet e veçantë për shkak të emocioneve të jashtëzakonshme, surprizave të shpeshta dhe atmosferës elektrizuese që ofron çdo ndeshje. Pikërisht këto elementë e bëjnë këtë turne tërheqës për tifozët, pasi në Afrikë nuk mund të parashikosh kurrë se kush do të ngrejë trofeun.

banner

Yjet më të mëdhenj afrikanë kanë lënë klubet e tyre për t’u bashkuar me ekipet kombëtare dhe për të luftuar për fronin e futbollit afrikan. Favoriti kryesor këtë vit është Maroku, organizatori i turneut dhe aktualisht forca më dominante e kontinentit, i cili gjithashtu ishte gjysmëfinalist në Kupën e Botës. Për Marokun, çdo rezultat përveç trofeut do të konsiderohej një befasi. Ndeshja e parë e turneut për ta zhvillohet sot ndaj Komoreve, nga ora 20:00, në stadiumin e shtëpisë.

Skuadra marokene ka në radhët e saj emra të njohur të futbollit evropian si Brahim Diaz (Real Madrid), Achraf Hakimi (PSG), Noussair Mazraoui (Manchester United), Youssef En-Nesyri (Fenerbahçe) dhe Bilal El Khannouss (Stuttgart), si dhe shumë lojtarë të tjerë me përvojë ndërkombëtare.

Përveç Marokut, favoritët kryesorë për titull përfshijnë Senegalin, Egjiptin, Algjerinë, Nigerinë dhe Bregun e Fildishtë. Ndërsa ekipe si Republika Demokratike e Kongos, Afrika e Jugut, Kameruni dhe Tunizia konsiderohen si skuadra të afta për të befasuar cilindo.

Në total, 24 kombëtare janë ndarë në gjashtë grupe me nga katër ekipe secili, ku dy skuadrat e para nga secili grup dhe katër përfaqësueset më të mira të vendit të tretë do të kualifikohen në fazën eliminatore.

Grupet e Kupës së Kombeve Afrikane:

Grupi A: Maroku, Mali, Zambia, Komoret

Grupi B: Afrika e Jugut, Zimbabve, Egjipti, Angola

Grupi C: Tanzania, Nigeria, Tunizia, Uganda

Grupi D: Senegali, Botsvana, Republika Demokratike e Kongos, Benini

Grupi E: Algjeria, Guinea Ekuatoriale, Burkina Faso, Sudani

Grupi F: Kameruni, Gaboni, Mozambiku, Bregu i Fildishtë

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy