Gazetari Berat Buzhala, në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ka kritikuar vendimin e fundit të tij për të ndarë nga 100 euro për fëmijë dhe pensionistë në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Ai tha se ky nuk është segmenti i vetëm ku Albin Kurti e ka bërë të kundërtën e asaj çka e ka thënë.
“Kurtit edhe i leverdis ngapak që ne diskutojmë tash këtë çështje. Çka ka bërë ky, e ka shtrirë horizontalisht sadakanë, të prek sa më shumë nëna, fëmijë, njerëz që kanë nevojë, por qeveri nuk duhet me qenë organizatë e tillë, sepse për ashtu e kemi Halil Kastratin. Pra, ne kemi organizata që ndihmojnë njerëz, që e kanë punë të veten ata”, deklaroi Buzhala.
Veprimin e Kurtit, Buzhala e quajti “të ndyrë”.
Në ndërkohë, ai foli edhe për situatën me energjinë elektrike në vend, e cila po shkon duke u përkeqësuar.
“Por të mos harrojmë një gjë, sepse dëshira e tij është që ne të diskutojmë për këto, por në 24 orët e fundit ka rënë Blloku 1 i Kosovës B nga sistemi, dhe është hera e dytë që po bie, dhe është rinovuar me 40 milionë euro në pranverë. Për rrymën që e kemi blerë në 24 orët e fundit, vetëm transporti i 1 MW na ka kushtuar 800 euro. Pra, vetëm transporti i tij. Blerja ka kushtuar 90 euro, e transporti 800 euro. Pra, sikur me ble një frigorifer për 100 euro, e transporti me të kushtu deri në shtëpi për 800 euro. Pra kompania që e bën transportin është një kompani greke, me të cilën Kurti është takuar në Greqi”, u shpreh gazetari Berat Buzhala.
Ai bëri thirrje për qytetarët që të mos e shesin votën për 100 eurot e ndara nga Kurti.

