Sulmuesi i njohur Sokol Cikalleshi mund të rikthehet në kampionatin shqiptar. RTSH Sport mëson se 35-vjeçari, që aktualisht është lojtar i lirë, është takuar ditën e sotme me presidentin e Flamurtarit, Sinan Idrizi.
Palët duket se kanë rënë dakord për të nisur një bashkëpunim dhe pritet që Cikalleshi të firmosë me skuadrën vlonjate në ditët në vijim.
Cikalleshi është një emër i njohur i futbolli shqiptar, që ka shkëlqyer me fanellën e disa skuadrave në Shqipëri, por ka spikatur edhe jashtë vendit, sidomos në kampionatin turk. Eksperienca e tij pritet të jetë një ndihmë e madhe për skuadrën vlonjate, që nuk po kalon ditët e saj më të mira.

