Ndërpritet seanca fillestare për sulmin në kanalin Ibër-Lepenc, kërkohet përjashtimi i prokurorit

by informim peje

Seanca fillestare për tre të akuzuarit në rastin e sulmit në kanalin Ibër-Lepenc në Zubin Potok është ndërprerë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas kërkesave të paraqitura nga palët mbrojtëse për përjashtimin e prokurorit të rastit. Kërkesat u parashtruan me arsyetimin se gjatë fazës hetimore nuk janë ndërmarrë veprime të plota për mbledhjen dhe administrimin e provave të propozuara nga mbrojtja, raporton Ekonomia Online.

Sipas gjykatës, seanca është ndërprerë derisa të merret vendim nga kryeprokurori kompetent lidhur me kërkesën për përjashtimin e prokurorit publik, Bekim Kodraliu.

banner

Avokati Nebojsha Vllajiq, mbrojtës i të akuzuarit Jovan Viqentijeviq, deklaroi se ka vërejtje serioze ndaj mënyrës së veprimit të prokurorisë dhe se ka kërkuar zyrtarisht përjashtimin e prokurorit.

Ai tha se kërkesa për mbledhjen e provave ishte parashtruar më 6 dhjetor 2024, vetëm disa ditë pas arrestimit të të akuzuarit, por sipas tij asnjë nga provat e propozuara nuk është administruar.

Vllajiq theksoi se janë marrë vetëm disa incizime nga një kamerë dhe se ato janë paraqitur në mënyrë selektive, pa sqaruar kohën, e cila sipas tij është element thelbësor për rastin. Ai shtoi se mosveprimi i prokurorisë ka sjellë humbjen e disa provave përgjithmonë.

“Kam vërejtje ndaj prokurorit të kësaj çështjeje, të cilat, nëse më lejohet nga gjykata, do t’i arsyetoj. Dëshiroj të parashtroj kërkesë për përjashtimin e prokurorit publik, Bekim Kodraliu. Nuk kam kërkuar shpesh përjashtimin e prokurorit në këto raste; në fakt, nuk e kam kërkuar asnjëherë më parë dhe ndihem pakëndshëm. Prokurori publik të mos e marrë këtë personale.

I pandehuri Jovan është arrestuar më 1 dhjetor 2024 dhe vetëm gjashtë ditë më pas kam parashtruar kërkesë për mbledhjen e provave, më 6 dhjetor. Këtë kërkesë ia kam dorëzuar si prokurorit publik ashtu edhe gjyqtarit. Prokurori i atëhershëm publik ka qenë Halim Burovci, ndërsa tani është zoti Kodraliu. Asnjë veprim nga provat që i kam propozuar nuk është ndërmarrë.

Kam propozuar që të merren video-incizimet nga dy objekte, të bisedohet me katër persona dhe të bëhet analiza bazike e stacioneve telefonike, për të vërtetuar nëse në kohën kritike Jovani ka pranuar sinjal dhe se ku ka qenë. Në asnjë mënyrë nuk është vepruar sipas këtyre kërkesave. Janë marrë vetëm disa incizime nga një kamerë dhe na janë shfaqur në mënyrë selektive, pa u treguar koha, e cila është shumë e rëndësishme,” tha ai.

“Në këtë mënyrë, prokurori publik ka shkelur dispozitat e procedurës penale, të cilat e obligojnë që t’i vërtetojë faktet si në dobi, ashtu edhe në dëm të të pandehurit. Disa prova janë humbur përgjithmonë, sepse askush nuk është i obliguar t’i ruajë incizimet për një vit, nëse nuk urdhërohet një gjë e tillë. Për këtë arsye ekzistojnë dyshime serioze në paanshmërinë e prokurorit publik.

Sipas ligjit të procedurës penale, dispozitat për përjashtimin e gjyqtarit zbatohen edhe për përjashtimin e prokurorit. Me paraqitjen e kërkesës për përjashtim, gjyqtari është i obliguar ta ndërpresë punën në lëndë. Sipas interpretimit tim të ligjit, për përjashtimin e prokurorit publik vendos kryeprokurori. Kërkesën ia kam dorëzuar dje kryeprokurorit me postë, ndërsa sot gjykatës dhe prokurorit Bekim Kodraliu. Konsideroj se kërkesa është e bazuar dhe pas vendimit të autoritetit kompetent do të vazhdojmë me procedurën,” tha Vllajiq.

Mbrojtësi i të akuzuarit Dragisha Viqentijeviq, avokati Millosh Deleviq, u bashkua me kërkesën e kolegut të tij, duke deklaruar se edhe ai kishte kërkuar që në dhjetor 2024 dëgjimin e katër dëshmitarëve dhe mbledhjen e incizimeve nga disa objekte, përfshirë banka dhe stacionin policor në Zubin Potok, por se deri më tani prokuroria nuk ka vepruar sipas këtyre kërkesave.

“Më duhet t’i bashkëngjitem kolegut, pasi edhe unë më 11 dhjetor 2024 kam parashtruar kërkesë për dëgjimin e katër dëshmitarëve. Kam kërkuar gjithashtu mbledhjen e video-incizimeve nga kamerat e dy objekteve, nga banka KEP në Zubin Potok dhe nga stacioni policor në Zubin Potok, një orë pas sulmit. Deri më sot, prokurori special nuk ka vepruar sipas këtyre kërkesave, duke e dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme të drejtën në mbrojtje të Dragisha Viqentijeviqit. Kërkojmë që seanca të ndërpritet deri në deklarimin e kryeprokurorit për këtë kërkesë,” tha ai.

Ndërkaq, avokatja Jelena Krivokapiq, mbrojtëse e të akuzuarit Igor Dimoviq, tha se rasti i klientit të saj është i ndryshëm dhe se mbrojtja nuk ka vërejtje ndaj prokurorisë, duke shtuar se dokumentacioni është pranuar dhe se nuk mund të flitet për shkelje në këtë pjesë.

Prokurori Bekim Kodraliu, duke iu përgjigjur kërkesave të mbrojtjes, tha se hetimi është zhvilluar në mënyrë profesionale dhe të koordinuar. Ai theksoi se provat e propozuara janë analizuar dhe se për komunikimet telefonike janë bërë kërkesa për bashkëpunim ndërkombëtar me autoritetet serbe, por se nuk është pranuar përgjigje.

“E kam dëgjuar me vëmendje palën mbrojtëse. Ndoshta nuk ju pëlqen hetimi që kam zhvilluar, por hetimi ka qenë profesional dhe i koordinuar. Provat e propozuara janë analizuar. Komunikimet telefonike të të pandehurit Jovan janë realizuar përmes operatorit të Serbisë dhe autoriteteve serbe u jemi drejtuar dy herë me kërkesë për bashkëpunim ndërkombëtar, por nuk kemi marrë përgjigje.

Ligji përcakton qartë bazat mbi të cilat mund të kërkohet përjashtimi i prokurorit, siç janë lidhjet familjare, konflikti i interesit apo pjesëmarrja e mëparshme në çështje. Këto baza, sipas mendimit tim, nuk janë përmbushur në këtë rast,” tha Kodraliu.

Gjyqtari i çështjes, Vesel Ismaili, deklaroi se me paraqitjen e kërkesës për përjashtim, ligji obligon ndërprerjen e çdo veprimi procedural deri në marrjen e vendimit përfundimtar.

“Me paraqitjen e kërkesës për përjashtim, qoftë të gjyqtarit apo të prokurorit, ligji na obligon që menjëherë të ndërpritet çdo veprim procedural deri në shqyrtimin dhe marrjen e vendimit. Seanca e sotme ndërpritet dhe gjykata do të presë vendimin e kryeprokurorit special,” tha ai.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy