Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore, ku kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, mbajti një fjalim të fokusuar në vizionin politik dhe rolin e LDK-së në zhvillimin e vendit.
Para mbështetësve të partisë, Abdixhiku theksoi se LDK-ja mbetet faktor kyç për stabilitetin institucional, orientimin politik dhe ndërtimin e një shteti që respekton qytetarin. Sipas tij, pa LDK-në nuk mund të ketë qeverisje të qëndrueshme dhe institucione funksionale.
Ai u shpreh se LDK-ja synon të ndërtojë të ardhmen përmes politikave që i shërbejnë çdo qytetari, duke e cilësuar partinë si një lëvizje të njerëzve të lirë dhe jo si një strukturë të komanduar. “LDK-ja është forcë e mendimit dhe e përgjegjësisë, një shtëpi ku fjala ka peshë, dinjiteti ka vlerë dhe ligji qëndron mbi të gjithë”, deklaroi Abdixhiku.
Gjatë fjalimit, ai foli edhe për përvojën e fushatës, duke vlerësuar se ajo ka nxjerrë në pah lodhjen e shoqërisë nga mungesa e drejtimit politik. Sipas tij, qytetarët nuk janë të dorëzuar, por ndihen të zhgënjyer nga politikat e padrejta dhe institucionet jofunksionale.
Në fund, Abdixhiku theksoi se LDK-ja nuk është parti e interesave afatshkurtra, por një forcë politike e lidhur me momentet historike dhe me përgjegjësi të vazhdueshme ndaj vendit dhe qytetarëve.

