Në prag të zgjedhjeve të së dielës, në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është ngritur shqetësim serioz lidhur me mungesën e mundshme të energjisë elektrike në një numër të madh të qendrave të votimit në Kosovë.
Anëtari i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës, Ilir Gashi, ka paralajmëruar se sipas të dhënave ekzistuese, rreth 888 qendra votimi mund të përballen me ndërprerje të energjisë elektrike gjatë ditës së zgjedhjeve. Ai theksoi se situata është edhe më alarmante për faktin se 491 prej këtyre qendrave nuk janë të pajisura me gjeneratorë, gjë që mund të ndikojë drejtpërdrejt në mbarëvajtjen dhe integritetin e procesit zgjedhor.
Gashi potencoi se errësimi i hershëm dhe mungesa e ndriçimit në vendvotime mund të krijojnë vështirësi serioze, duke hapur dyshime për cenim të procesit dhe rezultateve zgjedhore, ndërsa u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin masa urgjente në bashkëpunim me komunat dhe operatorët energjetikë.
Nga ana tjetër, sekretari i KQZ-së, Besnik Buzhala, pranoi se ekzistojnë rreziqe reale, duke veçuar si zona më problematike Rahovecin dhe Prizrenin, për shkak të rrjetit të transmisionit që furnizon edhe komunat përreth. Ai bëri të ditur se janë zhvilluar takime me KOSTT-in dhe KEDS-in, të cilët kanë zotuar se kanë hartuar plan veprimi për ditën e zgjedhjeve.
Sipas Buzhalës, KEDS do të angazhojë rreth 1 mijë e 50 zyrtarë në terren, me qëllim që çdo qendër votimi të jetë e mbuluar dhe të reagohet shpejt në rast të ndonjë problemi. Megjithatë, ai nuk përjashtoi mundësinë e shkyçjeve selektive të energjisë, varësisht nga ngarkesa në rrjet, sidomos gjatë orëve të pikut të konsumit në mbrëmje.
Një propozim konkret erdhi nga anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Krasniqi, i cili sugjeroi që në rast të mbingarkesës, shkyçjet të bëhen në zona të tjera dhe jo në vendvotime, në mënyrë që procesi zgjedhor të mos rrezikohet.
KQZ ka bërë të ditur se ka njoftuar KEDS-in dhe KOSTT-in për rëndësinë jetike të furnizimit të pandërprerë me energji elektrike në qendrat e votimit, sidomos gjatë mbylljes së vendvotimeve dhe procesit të numërimit, duke shpresuar se masat e paralajmëruara do të jenë të mjaftueshme për të shmangur problemet në ditën e zgjedhjeve.

