Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka sulmuar ashpër qeverinë aktuale të udhëhequr nga Albin Kurti, duke e akuzuar për manipulim të shifrave dhe dështime të shumta në menaxhimin ekonomik dhe social të vendit.
Në një reagim publik, Hoti tha se qytetarët po përballen me një rritje dramatike të shpenzimeve të jetesës, ndërsa pagat nuk kanë arritur të ndjekin ritmin e çmimeve të produkteve bazike. Ai theksoi se çmimi i energjisë elektrike është trefishuar dhe importi i mallrave është dyfishuar, duke goditur drejtpërdrejt familjet kosovare.
Hoti kritikoi edhe dështimet e investimeve publike dhe praktikën e tenderëve njëburimorë, të cilat sipas tij kanë shpenzuar qindra miliona euro nga buxheti pa rezultate konkrete. Ai shtoi se mungesa e sigurimeve shëndetësore detyron qytetarët të shpenzojnë miliona euro jashtë vendit, për trajtime në Shkup, Turqi e Evropë.
Ndër problemet e tjera, Hoti përmendi çmimet e larta të librave shkollorë, pagat e ulëta të mësimdhënësve, si dhe aktakuzat kundër disa ministrave dhe zyrtarëve të qeverisë për abuzime dhe keqpërdorime. Ai gjithashtu kritikoi ndërprerjen e dialogut strategjik me SHBA-në, vendosjen e masave nga BE-ja dhe mungesën e bashkëpunimit me Shqipërinë.
Sipas Hotit, pasojat janë të dukshme: mijëra të rinj dhe profesionistë po lënë vendin për shkak të mungesës së mundësive dhe shpresës për të ndërtuar jetën në Kosovë. Ai i bën thirrje qeverisë të përballet me realitetin dhe të ndërmarrë masa konkrete për të përmirësuar gjendjen ekonomike dhe sociale të qytetarëve.
Postimi i plotë:
Çudi me këta njerëz se si i shtrembërojnë shifrat.
Gënjejnë pa u skuqur dhe kërkojnë debat për tu përballur me gënjeshtrat e tyre.
Shifrat janë të qarta:
- Shpenzimet e jetës për çdo familje janë dyfishuar.
- Pagat as për së afërmi nuk janë rritur aq sa janë rritur çmimet e produkteve bazike.
- Tri herë është rritur çmimi i energjisë elektrike.
- Importi i mallrave është dyfishuar.
- Investimet publike kanë dështuar.
- Qindra miliona euro nga buxheti janë shpenzuar përmes tenderëve njëburimorë.
- Sigurime shëndetësore nuk ka dhe miliona euro të familjeve tona derdhen në Shkup, Turqi e gjithandej nëpër Evropën.
- Të njëjtat libra të nxënësve në këtë qeveri blihen dy herë më shtrenjtë.
- Pagat e stafit mësimdhënës në të gjitha nivelet janë përgjysmuar në vlerë reale.
- Disa ministra e zyrtarë janë me aktakuzë për abuzime e keqpërdorime.
- SHBA-ja ka ndërprerë dialogun strategjik e BE-ja ka vendosur masa tash e dy vite.
- Me Shqipërinë nuk mbahen mbledhjet e përbashkëta të Qeverive.
- Mijëra të rinj e profesionistë kanë lëshuar vendin në mungesë të mundësive dhe shpresës për të ndërtuar jetën.

