Policia e Kosovës ka finalizuar dhe ka vënë në zbatim planin operativ për garantimin e sigurisë gjatë zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen këtë të diel.
Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme janë zhvilluar sot takime informuese dhe koordinuese me drejtues rajonalë, krerë departamentesh, si dhe me përfaqësues të organeve të drejtësisë, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe institucioneve të tjera relevante vendore e ndërkombëtare. Qëllimi i këtyre takimeve ishte koordinimi i veprimeve dhe garantimi i mbarëvajtjes së procesit zgjedhor në aspektin e sigurisë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, theksoi se deri më tani procesi zgjedhor dhe fushata kanë kaluar të qeta dhe pa incidente, duke kërkuar nga strukturat policore angazhim maksimal, profesionalizëm dhe integritet të lartë edhe në ditën e votimit.
Nga Drejtoria për Planifikim dhe Vlerësim Operacional u prezantuan detajet e planit operativ, përfshirë detyrat konkrete, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe koordinimin e aktiviteteve në terren.
Policia e Kosovës rithekson përkushtimin e saj për një proces zgjedhor të sigurt, të qetë dhe të paanshëm, duke garantuar ushtrimin e lirë dhe demokratik të së drejtës së votës për të gjithë qytetarët.
Në këtë kuadër, qytetarët ftohen të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar apo veprim të kundërligjshëm që lidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor, përmes numrit emergjent 192, adresës elektronike [email protected]
ose në stacionin policor më të afërt.

