Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se shtetasit e Kosovës që ndodhen në Dhomat e Specializuara në Hagë, përfshirë ish-krerë të UÇK-së, kanë marrë pjesë në procesin zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar se votimi është zhvilluar gjatë javës, në përputhje me procedurat ligjore dhe me garantimin e së drejtës kushtetuese të votës.
Sipas tij, ky proces është realizuar në mënyrë të rregullt dhe brenda afateve të përcaktuara, duke u mundësuar qytetarëve që ndodhen në paraburgim në Hagë të kontribuojnë në zgjedhjen e përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës.
KQZ ka theksuar se votat e tyre do të trajtohen njësoj si votat e tjera dhe do të përfshihen në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

