Në Klinikën e Kardiologjisë të QKUK-së, pacientët presin deri dy vjet për koronarografi dhe vendosjen e stentave, pavarësisht investimeve infrastrukturore. Aktualisht, rreth 2 mijë pacientë janë në listë pritjeje, ndërsa rastet urgjente trajtohen menjëherë.
Ngarkesën e shton mungesa e disa aparaturave gjatë vitit dhe fluksi i pacientëve nga komunat dhe klinikat e tjera. Në Klinikën e Kardiologjisë punojnë 40 kardiologë, prej të cilëve 12 invazivë, duke kryer 10-13 koronarografi çdo ditë.
Problemet shtrihen edhe në ortopedi, kirurgji vaskulare, onkologji dhe oftalmologji, ku pritjet për operacione arrijnë deri mbi tre vjet. Sipas Auditorit Kombëtar, vitin e kaluar QKUK-ja kishte rreth 10 mijë pacientë në lista pritjeje, me një pritje mesatare gati tre vjet.
Ekspertët dhe gazetarët e shëndetësisë theksojnë se investimet nuk kanë ulur pritjet për shkak të menaxhimit joefikas, mungesës së stafit dhe planifikimit të dobët të shërbimeve. Probleme janë edhe furnizimet bazike dhe roli i shoqëruesve të pacientëve në mungesë të infermierëve, duke nxjerrë në pah boshllëqet kronike të sistemit shëndetësor të Kosovës.

