Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë raportit 24-orësh ka trajtuar shtatë raste që ndërlidhen drejtpërdrejt me procesin zgjedhor të mbajtur dje në vend. Sipas njoftimit zyrtar, rastet përfshijnë cenim të fshehtësisë së votimit, pengim të procesit zgjedhor, asgjësim të dokumenteve të votimit si dhe dyshime për falsifikim.
Në Drenas është iniciuar një rast për “Cenim të fshehtësisë së votimit”, ku një qytetar dyshohet se ka shkelur këtë parim themelor të procesit zgjedhor. Me urdhër të prokurorit, rasti po trajtohet në procedurë të rregullt.
Një tjetër rast është shënuar në Gjilan, ku një person është arrestuar pasi, pas plotësimit të fletëvotimit, e ka ekspozuar atë para votuesve të tjerë. I dyshuari është intervistuar dhe më pas është liruar, ndërsa rasti vazhdon në procedurë të rregullt.
Në Ranillug, Policia ka arrestuar një grua e cila dyshohet se ka ushtruar ndikim mbi votuesit e subjekteve të tjera politike, duke cenuar përcaktimin e lirë të votuesve. Edhe në këtë rast, e dyshuara është liruar pas intervistimit.
Raste të asgjësimit të dokumenteve të votimit janë raportuar në Shtime dhe Prizren. Në Shtime, një burrë dyshohet se ka grisur fletëvotimin e tij dhe atë të një gruaje, ndërsa në Prizren një tjetër qytetar ka grisur fletëvotimin brenda qendrës së votimit. Të dy rastet janë proceduar sipas udhëzimeve të prokurorit.
Ndërkohë, në Suharekë është raportuar një rast tjetër i shkeljes së rregullave zgjedhore, ku një qytetar ka fotografuar votën e tij dhe e ka publikuar në rrjete sociale. Edhe ky rast është trajtuar në procedurë të rregullt.
Rasti më i rëndë është raportuar në Pejë, ku në një qendër votimi është hasur një fletëvotim me vulë ndryshe nga ato të KQZ-së. Fletëvotimi është sekuestruar dhe rasti është duke u hetuar nën dyshimin për “Falsifikim të rezultateve të votimit”.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në garantimin e rendit, ligjit dhe integritetit të procesit zgjedhor, duke vepruar në koordinim të plotë me organet e drejtësisë.

