Shtetet e Bashkuara kanë hyrë në një fazë të re të kontrollit kufitar, duke e bërë identifikimin biometrik të detyrueshëm për të gjithë shtetasit jo-amerikanë. Që nga 26 dhjetori, çdo hyrje apo dalje nga territori amerikan, përfshirë turistët, mbajtësit e vizave dhe banorët e përhershëm, shoqërohet me procedura të zgjeruara verifikimi.
Përveç kontrollit të pasaportës dhe njohjes së fytyrës, autoritetet kufitare mund të kërkojnë edhe gjurmët e gishtërinjve, skanimin e syrit – i cili ka një model unik për çdo individ – si dhe të pëllëmbës së dorës. Sistemi zbatohet pa përjashtim moshe: fëmijët nën 14 vjeç dhe të moshuarit mbi 79 vjeç i nënshtrohen të njëjtave procedura.
Masat e reja nuk kursejnë as diplomatët dhe as qytetarët kanadezë, duke e shtrirë kontrollin në pothuajse çdo kategori udhëtarësh. Sipas autoriteteve amerikane, të gjitha të dhënat biometrike ruhen në arkivat federale për një periudhë deri në 75 vjet, çka nënkupton krijimin e një profili digjital afatgjatë për çdo vizitor.
Vendimi ka nxitur reagime të forta dhe të ndara. Mbështetësit e krahut MAGA e shohin këtë sistem si një hap të domosdoshëm për forcimin e sigurisë kombëtare, ndërsa juristë dhe aktivistë të të drejtave civile paralajmërojnë për rrezikun e shkeljes së privatësisë dhe mbikëqyrjes së tepruar.
Në menaxhimin dhe analizën e këtyre të dhënave është e përfshirë edhe kompania Palantir, e themeluar nga Peter Thiel, i njohur si aleat i afërt i ish-presidentit Donald Trump. Sipas kritikëve, teknologjia mund të shfrytëzohet për analiza të gjera globale të sjelljeve njerëzore, duke ndërtuar një “hartë” të fytyrave, lëvizjeve dhe zakoneve – një vizion që Thiel e ka promovuar prej kohësh për rolin e teknologjisë në qeverisje.

