Kina lëshoi raketa në ujërat pranë Tajvanit verior dhe jugor të martën dhe vendosi anije të reja sulmuese amfibe, së bashku me aeroplanë bombardues dhe shkatërrues, në ditën e dytë të stërvitjeve të saj më të gjera luftarake deri më tani, të cilat shërbejnë si provë për një bllokadë të ishullit.
Komanda Kineze e Teatrit Lindor tha se të shtënat me armë do të zhvilloheshin deri në orën 18:00, duke prekur detin dhe hapësirën ajrore të pesë zonave përreth Tajvanit.
Stërvitjet, të quajtura “Misioni i Drejtësisë 2025”, nisën 11 ditë pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan një paketë rekord armësh prej 11.1 miliardë dollarësh për Tajvanin. Ato konsiderohen stërvitjet më të mëdha të Pekinit deri më sot për nga shtrirja dhe më të afërtat me ishullin.
Një zyrtar i lartë i sigurisë së Tajvanit tha se Taipei po monitoron nga afër këtë raund të gjashtë të madh të ushtrimeve ushtarake që nga viti 2022.
Pekini duket se po i përdor këto ushtrime edhe për të praktikuar goditjen e objektivave tokësorë, si sistemi raketor HIMARS i prodhuar në SHBA, një sistem artilerie shumë i lëvizshëm me rreze veprimi rreth 300 kilometra, i aftë të godasë objektiva bregdetare në Kinën jugore.
Presidenti i Tajvanit, Lai Ching-te, deklaroi në një postim në Facebook se trupat e vijës së frontit janë të përgatitura për të mbrojtur ishullin, por se Taipei nuk synon të përshkallëzojë situatën.
Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit konfirmoi se stërvitje me të shtëna të vërteta u zhvilluan në veri të ishullit të martën në mëngjes dhe se mbeturina nga raketat hynë në zonën e tij të afërt, të përcaktuar si 24 milje detare në det të hapur

