Kolegji i Gjykatës Supreme t Kosovës, njofton se ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Ankesa ishte dorëzuar nga LVV në Gjykatën Supreme, pas vendimit të PZAP-së lidhur me dënimin me gjobë për shkelje të rregullave zgjedhore gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025.
Gjykata Supreme thotë se ka shqyrtuar pretendimet ankimore të LVV-së, të cilat kishin të bënin me shkeljen e supozuar të nenit 36 të Ligjit Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme, përfshirë edhe interpretimin e PZAP-së lidhur me përdorimin e pasurisë publike dhe pjesëmarrjen e zyrtarëve publikë gjatë fushatës zgjedhore. Megjithatë, këto pretendime janë vlerësuar si të pathemelta dhe të paqëndrueshme.
Sipas vendimit, Gjykata Supreme ka pranuar në tërësi si të drejtë dhe të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-së, duke konstatuar se dënimi me gjobë ndaj Lëvizjes Vetëvendosje është shqiptuar në përputhje me ligjin, për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, mbështetësit e tyre dhe kandidatët, gjatë fushatës zgjedhore.
Vendimi i PZAP-së, sipas Gjykatës Supreme, është mbështetur në prova konkrete dhe të qarta. Nga verifikimi i materialeve dhe hulumtimi në rrjetin social Facebook, është vërtetuar se disa kandidatë të LVV-së – përfshirë Arbërie Nagavcin, Hysen Durmishin, Arben Vitinë, Albulena Haxhiun dhe Hajrulla Cekon – kanë promovuar aktivitete fushate duke shfaqur logon dhe numrin zgjedhor të subjektit politik në hapësira publike.
Sipas vendimit, këto aktivitete janë zhvilluar në institucione dhe hapësira publike si: Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Qendra Klinike Universitare e Kosovës, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës dhe Ura në Mitrovicë.
Gjykata Supreme ka konstatuar se në këtë çështje juridike gjendja faktike është vërtetuar drejt dhe se nuk ka pasur shkelje të ligjit në dëm të parashtruesit të ankesës

