Godina e xhamtë e SPAK ishte ndërtesa me e vizituar nga politikanët e majtë e të djathtë përgjatë vitit 2025, ku disa prej tyre përfunduan në pranga apo u morën të pandehur, ndërsa të tjerë dhanë shpjegime për afera të dyshuar korruptive. Kërkesa për leje për arrestimin e zv.kryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, e cila akuzohet për paracaktim të tenderave në dhjetëra miliona euro dhe arrestimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj për 13 akuza penale, 9 prej të cilave për korrupsion, janë dy nga dosjet më të rëndësishme që SPAK hetoi përgjatë 2025 sa i përket hetimit të korrupsionit në radhët e zyrtarëve të lartë.
Hetimet për numrin dy të qeverisë, kulmuan në muajin tetor, kur ajo u mor zyrtarisht e pandehur për tenderin 190 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, ndërsa u pasuan caktimin ndaj saj të dy masave të sigurisë pezullim nga ushtrimi i detyrës dhe ndalim për të dalë jashtë vendit. Vendimi i gjykatës kushtetuese për ta rikthyer përkohësisht në detyrë Ballukun, bëri që SPAK t’i drejtohej Kuvendit dhe të kërkonte arrestimin e saj. Dosja Balluku shënoi dhe përplasjen e parë mes SPAK dhe mazhorancës, konflikt që më gjase do të thellohet përgjatë muajve të parë të 2026. Një tjetër dosje e SPAK që sigurisht shkaktoi tronditje të forta në radhët e mazhorancës ishte arrestimi i kryebashkakut Erion veliaj në zyrën e tij të punës me 10 shkurt. Veliaj vijon të mbahet në paraburgim, ndërsa aktualisht dosja e tij ku e pandehur është dhe bashkëshortja Ajola Xoxa, ish-deputetja Klotilda Bushka, si dhe 27 të pandehur të tjerë po shqyrtohet në seancë paraprake në Gjykatën e Posaçme.
Ish-kryeministri Sali Berisha, i cili po gjykohet për akuzën e korrupsionit lidhur me dosjen Partizani, bëri ecejaket e tij në SPAK në zbatim të masës detyrim për paraqitje.
Në të gjitha rastet ai hodhi akuza të forta ndaj ish-kreut të SPAK dhe këmbënguli se Prokuroria e Posaçme i shërben Edi Ramës. Ish-presidenti Ilir Meta që ndodhet në paraburgim prej tetorit 2024, edhe këtë përgjatë 2025 vijoi përballjen me drejtësinë. Aktualisht dosja penale e tij, ish-bashkëshortes dhe tre bashkëpunëtorëve të tjerë po shqyrtohet në seancë paraprake. Edhe ish-ministri i shëndetësisë, Ilr Beqaj vijoi betejën e tij me drejtësinë për dy dosjet, atë të aferës së sterilizimit si dhe abuzimet me fondet e agjencisë SASPAK. Me drejtësinë u përball dhe ish-deputeti socialist Jurgis Cyrbja, i cili po vuan dënimin në burgun e Durrës. Por ndryshe nga ky I fundit, ish-ministri Lefter Koka rifitoi lirinë me kusht.
Arben Ahmetaj, ish- zv.kryeministër vijon të jete ende nën hetim, edhe pse jeton në Zvicër dhe pret statusin e azilantit politik. Në dyert e SPAK përgjatë 2025 u panë ish-ministrja e Jashtme Olta Xhaçka apo deputeti Damian Gjiknuri. Ish-kreu I PD-së Lulzim Basha, ish-presidenti Bamir Topi, Sali Berisha dhe Ilir Meta po ashtu dhanë shpjegime për dosjen 21 janari, ku gjatë protestës së opozitës së 15 viteve më parë u vranë 4 qytetarë. Grupi kriminal që vepronte në agjencinë kombëtare të shoqërisë së informacionit ishte i cili u godit në mes të dhjetorit duke u shpallur në kërkim biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri ndërsa në arrest shtëpie u dërgua Mirlinda Karçanaj e zëvendësja e saj, ishte një tjetër dosje e bujshme që përmbylli 2025. SPAK përgjatë vitit ishte kryefjalë e politikës e medias e me gjasë godina prej xhami do të jetë në qendër të vëmendjes edhe përgjatë 2026

