Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj 15 personave, 12 fizikë dhe tre juridikë, për keqpërdorime të rënda në procedurat e prokurimit në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI). Sipas aktakuzës, përmes tenderëve të dyshimtë janë paguar produkte deri në 1557% më shtrenjtë se çmimi real i tregut, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm mbi 1.8 milion euro.
Rasti lidhet me tenderin “Blerja e Pakove për fusha lëndore dhe mirëmbajtje”, i zhvilluar në periudhën 2019–2021. Dosja e siguruar nga KALLXO.com tregon se zyrtarë të MASHTI-t, në bashkëpunim me kompani private, kanë kontraktuar produkte me çmime shumëfish më të larta se tregu, përfshirë edhe raste ku një shportë bërlloku është paguar 220 euro, ndonëse çmimi real ishte rreth 12 euro.
Sipas Prokurorisë, zyrtarët përgjegjës për prokurim dhe menaxhim kontratash kanë keqpërdorur detyrën zyrtare për t’u siguruar kontrata bizneseve “A&F Projekti” Sh.P.K., “Fabrika e Mobileve Standard” Sh.P.K., “Standard Plus” dhe “Shkëmbi Gllarevë”. Produktet janë kontraktuar pa specifika të qarta teknike, duke mos u siguruar çmimi më i ulët i tregut dhe duke lejuar çmime artificialisht të fryra.
Aktakuza thekson se janë vendosur kritere selektive dhe të panevojshme, të cilat kanë favorizuar kompanitë fituese dhe kanë përjashtuar padrejtësisht operatorë të tjerë ekonomikë. Po ashtu, është lejuar tejkalimi i sasive të kontraktuara për disa produkte, duke shkaktuar dëm shtesë prej rreth 137 mijë euro.
Prokuroria pretendon se, ndonëse kontratat parashihnin produkte me origjinë nga Bashkimi Evropian, MASHTI kishte lejuar furnizimin e tyre nga Kina dhe Turqia. Në raste të tjera, sipas PSRK-së, janë bashkuar projekte të ndara në një të vetëm, duke i ngarkuar shtetit pagesa mbi 2.8 milion euro, ndërsa disa produkte janë blerë deri në 1900% më shtrenjtë se çmimi i tregut.
Në pika të veçanta të aktakuzës, disa zyrtarë akuzohen se kanë hapur procedura prokurimi pa nevojë reale dhe kanë ndryshuar kriteret vetëm dy ditë para hapjes së ofertave. Po ashtu, pas përfundimit të një kontrate kornizë, bizneset fituese janë kompensuar për inflacion në vlerë mbi 445 mijë euro, veprim që Prokuroria e cilëson të kundërligjshëm.
Ndërkohë, pronarë të disa kompanive akuzohen për mashtrim të autoritetit kontraktues dhe falsifikim dokumentesh, duke paraqitur kontrata të rreme të punëtorëve dhe dokumente tatimore të pavërteta për të plotësuar kriteret e tenderëve.
Aktakuza është ngritur nga prokurori special Dren Paca, ndërsa të pandehurit ngarkohen kryesisht për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim dokumentesh. Rasti pritet të trajtohet nga gjykata, ndërsa konsiderohet një nga skandalet më të mëdha të dyshuara në prokurimin publik në sektorin e arsimit në Kosovë.
Në këtë aktakuzë, e cila është ngritur nga prokurori Dren Paca, janë të akuzuar 15 persona, 12 persona fizikë dhe tre persona juridikë: “A&F Projekti” Sh.P.K, Fabrika e Mobileve “Standard” Sh.P.K., dhe “Shkëmbi – Gllarevë” Sh.P.K. Kurse persona fizikë të akuzuar janë: Ardian Berisha – pronar i kompanisë “Shkëmbi – Gllarevë” Sh.P.K., Dashmir Limaj, Mërgim Limaj – drejtor në kompaninë Fabrika e Mobileve “Standard”, Agron Shemsi Shala – pronar i biznesit “A&F Projekti” Sh.P.K., Fehmi Zylfiu i punësuar në MASHTI, Fadile Kokaj – Dyla, Murtez Hasan Zekolli, Xhemajl Buzuku, Agim Berdynaj, Arberita Mehmetaj – e punësuar në MASHTI dhe Naim Demiri – i punësuar në MASHTI.

