Skena tmerri në Crans-Montana: Dëshmitarët rrëfejnë momentet pas shpërthimit në lokalin e njohur, disa të vdekur dhe dhjetëra të lënduar

by engel

Skena kaotike dhe tronditëse janë përjetuar në orët e para të mëngjesit në vendpushimin e njohur të skive Crans-Montana në Zvicër, pas një shpërthimi dhe zjarri masiv në lokalin “Le Constellation”, ku si pasojë kanë humbur jetën disa persona dhe dhjetëra të tjerë janë lënduar.

Dëshmitarë okularë kanë përshkruar momente paniku dhe tmerri, teksa përpiqeshin të shpëtonin nga flakët që përfshinë lokalin ku po festohej ndërrimi i viteve. Incidenti ndodhi rreth orës 01:30 sipas kohës lokale, në kulmin e festimeve për fillimin e vitit 2026.

banner

Samuel Rapp, një nga dëshmitarët që foli për Sky News, tregoi për skena shkatërruese brenda lokalit. “Shumë njerëz po bërtisnin, ishte e tmerrshme. Pashë shumë persona të shtrirë në dysheme. Mendoj se disa prej tyre ishin të vdekur”, u shpreh ai. Sipas Rapp, njerëzit përpiqeshin të dilnin me forcë nga dalja kryesore, ndërsa disa kërkonin ndihmë mjekësore mes flakëve dhe tymit të dendur.

Ai shtoi se pa persona me djegie të rënda, madje “pa flokë, sepse po digjeshin”, duke e përshkruar situatën si apokaliptike. Në lokal, sipas tij, kishte vizitorë nga e gjithë bota, kryesisht nga Anglia dhe nga pjesë të ndryshme të Zvicrës, përfshirë edhe të rinj të moshës 16 deri në 18 vjeç.

Edhe dy gra franceze, të cilat arritën të largohen nga lokali, kanë dhënë dëshmi tronditëse. Ato pretendojnë se zjarri nisi nga qirinjtë e vendosur mbi shishet e shampanjës për festë. “Njëri nga qirinjtë u afrua shumë pranë tavanit prej druri dhe brenda pak sekondash gjithçka u përfshi nga flakët”, tha njëra prej tyre.

Sipas tyre, paniku u përhap me shpejtësi, ndërsa dalja e vetme ishte shumë e vogël për numrin e madh të njerëzve. Në përpjekje për të shpëtuar, një person theu një dritare për të krijuar një rrugë alternative daljeje. Njëra nga gratë tregoi se u rrëzua nga shkallët për shkak të turmës, duke pësuar lëndime në gju.

Policia zvicerane ka publikuar pamje pas incidentit, ku shihet tarraca e shkatërruar e barit, me karrige dhe tavolina të shpërndara. Raportimet fillestare sugjerojnë se deri në 100 persona ndodheshin brenda lokalit në momentin kur shpërtheu zjarri, i cili dyshohet se mund të ketë nisur nga bodrumi.

Autoritetet zvicerane kanë bërë të ditur se rasti po trajtohet si zjarr aksidental dhe jo si sulm. Shkaku i saktë i shpërthimit mbetet ende i paqartë, megjithatë po hetohen edhe pistat që lidhen me përdorimin e mjeteve piroteknike gjatë një koncerti që po mbahej atë natë.

Hetimet janë në vazhdim, ndërsa autoritetet kanë shprehur ngushëllime për familjet e viktimave dhe kanë garantuar se do të zbardhen plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy