Në moshën 81-vjeçare ka ndërruar jetë Nexhat Daci, politikan dhe akademik i njohur kosovar.
Para angazhimit në politikë, Daci njihej kryesisht për kontributin e tij në fushën akademike. Ai ishte profesor universitar dhe ligjërues i kimisë, si dhe anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK), institucion të cilin e kishte drejtuar edhe si kryetar.
Në politikën aktive u përfshi në fillim të viteve 2000, kur udhëhoqi listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në zgjedhjet komunale në Prishtinë. Edhe pse LDK fitoi zgjedhjet, Daci nuk e ushtroi postin e kryetarit të komunës, duke ia lënë atë Sali Gashit.
Angazhimi i tij në politikën qendrore erdhi me kërkesë të ish-presidentit Ibrahim Rugova. Daci ishte deputet i Kuvendit të Kosovës nga viti 2001 deri në vitin 2011, ndërsa Kuvendin e drejtoi për dy mandate: 2000–2004 dhe 2004–2006.
Pas zgjedhjeve të brendshme të LDK-së në vitin 2006, ku u mposht nga Fatmir Sejdiu në garën për kryetar partie, Daci themeloi subjektin e ri politik Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD). Gara për drejtimin e LDK-së kishte ardhur disa muaj pas vdekjes së presidentit historik Ibrahim Rugova.
Kush ishte Nexhat Daci?
Nexhat Daci lindi në vitin 1944 në fshatin Tënoc, ku përfundoi shkollën fillore. Arsimin e mesëm e kreu në Leskoc, ndërsa studimet universitare në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, dega e Kimisë, në Beograd, në vitin 1966. Doktoraturën e mbrojti në Universitetin e Zagrebit më 1973, ndërsa studimet pasdoktorale i vazhdoi në Universitetin e Bradfordit në Angli, në vitin 1974.
Karrierën akademike e nisi në vitin 1968 si asistent në Fakultetin Filozofik, në Katedrën e Kimisë. Në vitin 1971 vazhdoi si ligjërues dhe më pas si profesor në Universitetin e Prishtinës.
Gjatë veprimtarisë së tij shkencore, Daci mori pjesë në studime, kongrese dhe konferenca të shumta ndërkombëtare. Ai ishte anëtar i Shoqatës Kimike Amerikane që nga viti 1985, si dhe pjesë e disa institucioneve të tjera shkencore ndërkombëtare. Anëtar i Akademisë së Shkencave të Kosovës u bë në vitin 1993.
Nexhat Daci do të kujtohet për kontributin e tij të dyfishtë në jetën akademike dhe politike të Kosovës.

