Nis sot numërimi i votave me postë

by informim peje

Sot, më 2 janar, me fillim nga ora 10:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të fillojë numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht i fletëvotimeve nga votimi përmes postës, të cilat deri më tani janë tërhequr nga dy kutitë postare jashtë Kosovës.

Kështu ka deklaruar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.

banner

“Nga votimi me postë, siç e kemi treguar më herët, numri i shtetasve të regjistruar ka qenë rreth 58 mijë. Ende nuk është përmbyllur procesi i tërheqjes së fletëvotimeve nga kutitë postare, andaj në këtë fazë nuk e dimë se sa prej këtyre votuesve të regjistruar kanë ushtruar të drejtën e votës. Tërheqjet e fundit të zarfeve me fletëvotime do të bëhen më 2 dhe 5 janar 2026”, tha Elezi.

“Deri më tani, nga dy kutitë postare, Berlin dhe Bernë, janë tërhequr më shumë se 28 mijë e 500 pako me fletëvotime që i takojnë votimit përmes postës dhe të cilat janë vlerësuar dhe verifikuar nga shërbimi votues i KQZ-së”, theksoi ai.

Elezi shtoi se “nga numri i përgjithshëm i pakove me fletëvotime të supozuara që deri më tani kemi pranuar, pra më shumë se 28 mijë, pas vlerësimit dhe verifikimit janë aprovuar 27 mijë e 600, ndërkaq janë refuzuar më shumë se 950. Arsyeja më e shpeshtë e refuzimit është se në pakon me fletëvotim mungon dëftesa e regjistrimit të votuesit”.

“Ndërkaq, nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi në 29 përfaqësi diplomatike, nga 19 mijë e 187 shtetas të regjistruar, kanë votuar 16 mijë e 165 prej tyre, apo 84.24 për qind”, tha në fund zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy