Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, ka thënë që Kosova rrezikon të humbë disa mjete nga Bashkimi Evropian nëse nuk formohen institucionet dhe të votohen dy marrëveshjet me Bashkimin Evropian.
Ai tha se Kosova tashmë është shumë vonë dhe duhet në mënyrë shumë të shpejtë t’i kalojë marrëveshjet në fjalë.
“Këto kanë qenë gjëra të paraplanifikuara, pra, po flasim për vitin 2025 ku shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë marrë pagesat e para, është bërë disbursimi i mjeteve”, ka thënë Arifi në Info Magazine të Klan Kosovës.
Ai tha se Kosovës i takojnë rreth 61 milionë, por që, sipas tij, “për shkak të bllokadës politike ne nuk jemi në agjendën e BE-së në Planin e Rritjes sa ç’duhet që gjithçka të rikonfirmohet të paktën deri nëse, kushtimisht, më 20 janar përfundon gjithçka, formohet Kuvendi dhe Qeveria, dhe duhet në mënyrë rapide të votohen marrëveshjet, dy marrëveshjet me Bashkimin Evropian, që të mund të fillojë mandej riprogramimi i mjeteve apo disbursimi i mjeteve për Kosovën”.
“Pra, jemi shumë vonë, jashtëzakonisht vonë, dhe mund t’i humbim disa mjete të cilat janë të dedikuara dhe kanë një afat të caktuar”, deklaroi Arifi.

