Nga shofer autobusi në krye të shtetit: kush është Nicolas Maduro, presidenti i arrestuar nga SHBA-ja

by engel

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, është arrestuar mëngjesin e së shtunës nga forcat amerikane, bëri të ditur presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Administrata Trump e ka akuzuar prej vitesh Maduron për lidhje me kartele të drogës dhe për një sërë krimesh të tjera, duke ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj tij që të largohej nga pushteti, raporton Reuters.

banner

Por kush është Nicolas Maduro?

Maduro ka lindur më 23 nëntor 1962 në një familje punëtore dhe është djali i një lideri sindikal. Karrierën e tij e nisi si shofer autobusi, në një periudhë kur ish-oficeri i ushtrisë, Hugo Chavez, udhëhoqi një përpjekje të pasuksesshme për grusht shteti në vitin 1992.

Ai u angazhua aktivisht në fushatën për lirimin e Chavezit nga burgu dhe u shndërrua në një nga mbështetësit më të vendosur të ideologjisë së tij të majtë. Pas fitores së Chavezit në zgjedhjet presidenciale të vitit 1998, Maduro fitoi një vend në parlament.

Më pas, ai avancoi shpejt në hierarkinë politike, duke u bërë fillimisht president i Asamblesë Kombëtare e më vonë ministër i Jashtëm. Në këtë rol, ai udhëtoi gjerësisht për të ndërtuar aleanca ndërkombëtare, kryesisht përmes programeve të ndihmës të financuara nga të ardhurat e naftës.

Hugo Chavez e zgjodhi personalisht Maduron si pasardhës të tij dhe, pas vdekjes së Chavezit, ai fitoi ngushtë zgjedhjet presidenciale të vitit 2013.

Sundimi i Maduron u shoqërua me një krizë të thellë ekonomike, të shënuar nga hiperinflacioni, mungesa e produkteve bazë dhe kolapsi i shërbimeve publike. Qeverisja e tij është kritikuar gjerësisht për zgjedhje të manipuluara, shkelje të të drejtave të njeriut dhe shtypje të dhunshme të protestave, veçanërisht në vitet 2014 dhe 2017. Si pasojë, miliona venezuelianë u detyruan të largohen nga vendi.

Qeveria e Maduron u përball me sanksione të rënda nga SHBA-ja dhe vende të tjera perëndimore. Në vitin 2020, Uashingtoni ngriti akuza për korrupsion dhe krime të tjera, të cilat Maduro i ka mohuar vazhdimisht.

Ai u betua për mandatin e tretë presidencial në janar të vitit 2025, pas zgjedhjeve të vitit 2024, të cilat u dënuan gjerësisht nga opozita dhe vëzhguesit ndërkombëtarë si të manipuluara. Pas shpalljes së rezultateve, mijëra protestues u arrestuan.

Muajin e kaluar, një Mision Hetimor i Kombeve të Bashkuara raportoi se Garda Kombëtare Bolivariane ka kryer shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe krime kundër njerëzimit për më shumë se një dekadë, duke shënjestruar kryesisht kundërshtarët politikë, shpesh pa u përballur me ndëshkim.

Represioni i qeverisë së tij u theksua edhe më tej në vitin 2025, kur Çmimi Nobel për Paqe iu nda lideres së opozitës venezueliane, Maria Corina Machado.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy