Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka reaguar pas sulmit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Venezuelë.
Në një postim në platformën X, Kallas bëri të ditur se ka zhvilluar bisedime me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, si dhe me ambasadorin e BE-së në Karakas, duke theksuar se Bashkimi Evropian po monitoron me vëmendje situatën në vend.
“Kam folur me Sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe me ambasadorin tonë në Karakas. BE-ja po e ndjek nga afër situatën në Venezuelë”, shkroi ajo.
Kryediplomatja evropiane rikujtoi se BE-ja ka deklaruar vazhdimisht se Nicolás Maduro nuk gëzon legjitimitet dhe se ka mbështetur një tranzicion paqësor të pushtetit në vend.
Ajo gjithashtu bëri thirrje për përmbajtje dhe respektim të së drejtës ndërkombëtare, duke theksuar se parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara duhet të respektohen në çdo rrethanë.
“BE-ja ka qenë e qartë në qëndrimin e saj për mungesën e legjitimitetit të zotit Maduro dhe ka mbrojtur një tranzicion paqësor. Ne bëjmë thirrje për përmbajtje dhe respektim të së drejtës ndërkombëtare”, theksoi Kallas.
Në fund, ajo nënvizoi se siguria e qytetarëve të Bashkimit Evropian në Venezuelë mbetet prioriteti kryesor i BE-së.

