Mesfushori Drilon Islami është larguar nga Rumania për të vazhduar karrierën në Maqedoninë e Veriut.
Islami, të hënën është zyrtarizuar te Shkëndija e Tetovës, ekip që pret shumë prej mesfushorit 25-vjeçar.
Në fakt, Islami është përforcimi i parë i ekipit nga Tetova në afatin kalimtar të janarit.
Ai te Shkëndija është transferuar pas përvojës së hidhur që e pati në Rumani, ku nuk e regjistroi asnjë paraqitje zyrtare për skuadrën e Clujit.
Verën e vitit të shkuar, Islami u transferua te Cluji, ekip me të cilin tashmë ka shkëputur kontratën që i skadonte këtë verë.
Në Kosovë, Islami ka luajtur për Prishtinën, Ferizajn e Dritën, ndërsa ka qenë ndër mesfushorët më të vlerësuar në elitën e futbollit kosovar.
Me Dritën ishte shpallur kampion në sezonin 2019/20, ndërsa me Prishtinën e fitoi Kupën e Kosovës në sezonin 2023/24.

