Mungesa e stafit mjekësor po rëndon funksionimin e Mjekimit Intensiv në QKUK

by engel

Mjekimi Intensiv Qendror në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës po përballet prej vitesh me mungesë të theksuar të anesteziologëve dhe infermierëve, ndonëse funksionon pothuajse vazhdimisht me kapacitet maksimal. Kjo njësi ka në dispozicion 21 shtretër aktivë, të cilët gjatë vitit të kaluar janë shfrytëzuar rreth 99 për qind të kohës, duke trajtuar afro 500 pacientë në gjendje të rëndë.

Shefi i Mjekimit Intensiv Qendror, Shaqir Uka, thotë se nëntori i vitit 2025 ka qenë veçanërisht sfidues, pasi janë pranuar 62 pacientë, trefishi i kapaciteteve normale. Sipas tij, megjithëse numri i referimeve mbetet i ngjashëm nga viti në vit, këtë vit pacientët kanë qenë në gjendje më të rëndë shëndetësore.

banner

Nga janari deri në mesin e dhjetorit të vitit të kaluar, rreth 120 pacientë kanë humbur jetën në këtë njësi, kryesisht për shkak të lëndimeve të rënda nga aksidentet e trafikut dhe rrëzimet në vendin e punës, ndërsa rastet nga armët e zjarrit kanë shënuar rënie.

Uka thekson se për funksionim normal do të nevojitej trefishimi i numrit të anesteziologëve. Aktualisht, në Mjekimin Intensiv punojnë gjashtë ekipe me nga dy anesteziologë, të cilët mbajnë kujdestari 24-orëshe çdo të gjashtën ditë, çka shkakton lodhje të madhe fizike dhe psikike. Edhe pse pritet pranimi i specialistëve të rinj, kjo vetëm sa do ta lehtësojë përkohësisht situatën.

Problematikë tjetër serioze mbetet mungesa e infermierëve. Sipas standardeve, një infermier duhet të kujdeset për maksimumi dy pacientë, ndërsa në praktikë shpesh një infermier mbulon tre ose katër pacientë. Kërkesat për shtim të stafit infermieror janë të vazhdueshme, por zakonisht pranohen shumë më pak se nevojat reale.

Sipas Ukës, zgjidhja nuk është rritja e kapaciteteve të Mjekimit Intensiv Qendror, por funksionalizimi i njësive të kujdesit intensiv në klinikat e tjera. Aktualisht, mbi 30 për qind e pacientëve trajtohen këtu për shkak të mungesës së njësive intensive në klinika të tjera si ajo Interne, Neurologjia apo Infektivja.

Pavarësisht mungesës së stafit, Mjekimi Intensiv Qendror është i pajisur me aparaturë moderne mjekësore dhe gjatë vitit 2025 ka pasur furnizim relativisht të mirë me barna dhe materiale mjekësore, ndonëse janë evidentuar mungesa të herëpashershme.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy