Bashkimi Evropian nuk do të hapë dyert për shtete në të cilat aktorë pro-rusë dhe anti-evropianë kanë ndikim real në pushtet, deklaroi Tonino Picula, raportues i Parlamentit Evropian për Serbinë dhe ish-raportues për Malin e Zi, duke theksuar se Podgorica ka ende një shans real për anëtarësim, por vetëm nëse dëshmon qartë besueshmërinë e saj evropiane.
Në një intervistë për Portal ETV, Picula tha se Brukseli “i peshon me kujdes mesazhet politike” që vijnë nga rajoni dhe paralajmëroi se përvoja me vende anëtare që bllokojnë proceset evropiane ka bërë BE-në shumë më të kujdesshme ndaj kandidatëve të rinj.
“Disa institucione të BE-së dhe shtetet anëtare do të matin me shumë kujdes pranimin e vendeve me aktorë pro-rusë dhe anti-evropianë, sepse nuk duan të përsërisin përvojat e këqija me politikanë si Orbán dhe të ngjashëm”, tha Picula.
Duke folur për perspektivën evropiane të Malit të Zi, Picula përshëndeti mbylljen e disa kapitujve negociues, por theksoi se përgjegjësia kryesore mbetet te vetë shteti kandidat.
“BE-së i intereson që të hyjë një anëtare vërtet e përgatitur, e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Unionit dhe me sundim të padiskutueshëm të ligjit”, theksoi ai, duke shtuar se reformat duhet të jenë reale dhe të qëndrueshme, jo vetëm formale.
Sipas tij, Mali i Zi duhet ta shfrytëzojë maksimalisht mandatin aktual të Komisionit dhe Parlamentit Evropian, sepse pas zgjedhjeve evropiane të vitit 2029 askush nuk mund të garantojë klimën politike për zgjerim.
Picula reagoi ashpër ndaj gjesteve politike që, sipas tij, minojnë harmonizimin e Malit të Zi me vlerat evropiane, duke përmendur dhuratën simbolike të Andrija Mandiçit në Londër.
“Kjo ishte një provokim politik i menduar dhe jo i denjë për funksionin që ai mban”, tha Picula, duke shtuar se kjo ngre pikëpyetje për përputhshmërinë e elitave shtetërore me vlerat e BE-së.
Ai shprehu shqetësim edhe për rritjen e ndikimit të Kishës Ortodokse Serbe, duke deklaruar se ajo “ka ambicie të funksionojë pothuajse si një organizatë mbiqeveritare dhe si agjent i interesave të Beogradit”.
Duke komentuar propozimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiç që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të hyjnë njëkohësisht në BE, Picula u shpreh se kjo ide është “shprehje e pafuqisë politike dhe e një zili të fshehur keq”.
“Vuçiçit do t’i pëlqente të lidhte Serbinë e tij me Malin e Zi për ta ngadalësuar hyrjen e Podgoricës në BE”, tha Picula, duke theksuar se procesi i zgjerimit bazohet në meritë dhe përparim individual, jo në paketa kolektive.
Në lidhje me Serbinë, Picula theksoi se nuk sheh përmirësime reale në fushat kyçe të identifikuara nga institucionet evropiane, si media, drejtësia dhe zgjedhjet.
“Pres që kriza në Serbi të zgjidhet me zgjedhje të reja, fer dhe të ndershme”, tha ai, duke shtuar se kjo nënkupton ndryshime të legjislacionit zgjedhor sipas rekomandimeve ndërkombëtare.
Sipas Piculës, vetëm përmbushja e këtyre kushteve mund të tregojë se Beogradi ka vullnet të vërtetë politik për orientim evropian dhe jo thjesht deklarata formale.

